Transmetuar më 07-01-2023, 12:47

Tiranë- Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në shtet arriti në fund të tremujorit të tretë të 2022 në mbi 182 mijë punonjës, mbi 2 mijë më shumë se kundrejt të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkaq, ky tregues rezultoi edhe më i lartë në fund të 6-mujorit të parë të vitit të kaluar, me rreth 185.7 mijë të punësuar në shtet.

Që prej vitit 2014 administrata shtetërore është ‘fryrë’ me punonjës duke u rritur me ritme të shpejta. Në atë periudhë të punësuarit në shtet llogariteshin në mbi 163.8 mijë në total, por që prej asaj kohe të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se janë zgjeruar me më shumë se 18 200 punonjës.

Edhe pse përgjatë tre mandateve të qeverisë Rama numri i ministrive ka ardhur duke u reduktuar, kjo duket se nuk është reflektuar në organikën e numrit të punonjësve.

Rritja më e madhe e punësimeve në shtet vihet re veçanërisht në periudha zgjedhore. Referuar statistikave, vetëm në vitin 2021 kohë kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, administrata u shtua me më shumë se 7 800 punonjës.