Transmetuar më 14-01-2023, 11:14

Tiranë- Shqipëria është vendi me të ardhurat më të ulëta të disponueshme në Europë. Të dhënat e përditësuara janë publikuar nga Eurostat dhe vërehet se vendi ynë nuk ka bërë asnjë përparim në këtë drejtim duke qëndruar në të njëjtin nivel me atë të llogaritur në raportin e korrikut të vitit të kaluar.

Sipas statistikave, të ardhurat e disponueshme për frymë të shprehura sipas Standardit të Fuqisë Blerëse (PPS) llogariten në 4 mijë e 385 PPS, indikator që llogaritet mbi të ardhurat e familjeve. Kjo duke i zhveshur ato nga taksat e çdo detyrim tjetër e më pas duke i pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes. Shuma e mbetur prej tyre tregon edhe vlerën që i mbetet asaj për konsum dhe kursim.

Ky tregues rezulton gati katër herë më i ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë, nga çfarë vihet re nga statistikat, ai rezulton më poshtë edhe se në vendet e rajonit si Serbia apo Maqedonia e Veriut ku rezulton mbi 6 mijë PPS.

Sipas të dhënave të organizmave ndërkombëtare, në fakt, Shqipëria është ndër vendet e para në Europë për rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social. Shifrat zyrtare të INSTAT-it, të publikuara së fundmi, të para për nivelin e jetesës tregojnë se më shumë se 622 mijë persona jetojnë në kufirin e varfërisë në vend.

Sipas tyre, numri i personave në rrezik për të qenë të varfër u rrit me më shumë se 1 mijë e 200 individë krahasuar me vitin 2020. Pak ditë më parë, Banka Botërore rishikoi me ulje pritshmëritë për rritjen e ekonomisë këtë vit. Në raportin e fundit, “Perspektiva e Ekonomisë Globale” thuhet:

Ekonomia shqiptare do të zgjerohet me vetëm 2.2%, duke bërë që parashikimi i fillimvitit të jetë gati 1.3% më i ulët se ai i bërë në qershor 2022.

Ky parashikim i zymtë i institucionit financiar ndërkombëtar që ndjeshëm është më i ulët se pritshmëritë e qeverisë në 2.6%, kryesisht lidhet me efektet e luftës në Ukrainë, që sipas Bankës Botërore “do të shtrihen edhe përgjatë vitit 2023”.