Transmetuar më 16-01-2023, 23:50

Ambasada britanike në Shqipëri ka marrë orët e fundit një notë verbale proteste nga ministria e Jashtme shqiptare e cila paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick.

Në këtë kuadër, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith, në një dalje televizive sot, foli mbi faktin se shqiptarët detyrohen të ikin ilegalisht në vendin e tij, pasi vizat nuk janë të arritshme për shumicën e tyre.

Por, a ka ndonjë mundesi që procedurat e vizave të jenë më të lehta, më normale dhe më të aksesueshme për qytetarët shqiptarë?

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar tha: "Një nga mesazhet tona është t’u themi njerëzve, mos shkoni ilegalisht. Nëse jeni të vendosur të udhëtoni për në Mbretërinë e Bashkuar, shkoni në mënyrë ligjore, dhe ka opsione vizash për qytetarët.

Kemi mungesa në profesione të caktuara që do të thotë se ka opsione për viza për të cilat njerëzit mund të aplikojnë.

Kjo është pjesë e asaj që do të diskutojmë me qeverinë e Shqipërisë, për të parë se si mund t’i promovojmë këto mundësi më mirë.

Mos shkoni ilegalisht. Edhe pse shihet si një rrugë e lehtë, ka histori vërtet të vështira nga njerëz që e kanë bërë këtë rrugë dhe e kanë kuptuar se kanë gabuar dhe tashmë janë kthyer në Shqipëri".