Transmetuar më 17-01-2023, 10:10

Grupimi i Enkelejd Alibeajt në Partinë Demokratike ka tërhequr ankimimin për bashkimin e dy Kuvendeve, atë të 17 korrikut nga Lulzim Basha dhe të 18 dhjetorit i organizuar nga Sali Berisha.

Përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa, dorëzoi kërkesën në mbledhjen e gjykatës së Apelit, që u zhvillua sot dhe kjo gjykatë shpalli para pak, pushimin e shqyrtimit të çështjes.

Sefa tha se vendimi u mor me qëllim që t’i hapet rrugë gjykimit të ankimimit për vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili njohu Kuvendin e Berishës.

Në një deklaratë para mediave, Sefa tha se zgjidhja përfundimtare nga gjykata për këtë çështje do të sjellë qartësimin e situatës së krijuar brenda PD, tashmë e ndarë në dy kampe, atë të Alibeajt nga njëra anë dhe Berishës nga ana tjetër.

Duke hedhur akuza se zvarritja e procesit gjyqësor ka qenë e qëllimshme, Sefa foli pak para seancës së sotme dhe tha se kërkon që Apeli të vendosë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

"Kjo çështje është e natyrës procedurale dhe tashme i ka rënë aktualiteti. Gjykimi i sotem per te cilin ne kerkojme pushimin e ceshtjes, përcakton nësë kuvendi i Korrikut 2021 do të regjistrohet apo jo në regjistrin e partive politike të Gjykatës së Tiranës. Për shkak se statuti i miratuar nga Kuvendi i korrikut 2021 është akti mbi të cilin pretendohet se është bazuar mbledhja e të vetëquajturit Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 vijimi i gjykimit të kësaj cështje thjesht pengon gjykimin e cëshjes mbi legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe zgjidhjen përfundimtare të legjitimitetit të organeve drejtuese të Partisë Demokratike.

Çfarë vendosi sot gjykata 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me kërkesën, me palë: Kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z.Gazment Bardhi, Objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021. Me vendimin Nr. 2, datë 18.03.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Domokratike e Shqipërisë. 2. Depozitimin e statutit dhe vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokartike të Shqipërisë e dates 17.07.2021. 3. Kundër ketij vendimi mund të behet ankim sipas ligjit. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Në seancën gjyqësore, të zhvilluar sot me datë 17.01.2023, përfaqësuesi ligjor i ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë, avokat Indrit Sefa, paraqiti kërkesë me shkrim për heqjen dorë nga ankimi. Në këto kushte, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Irida Kacerja dhe anëtarë znj. Emona Muçi dhe z. Genti Shala, me vendimin nr. 3, datë 17.01.2023 vendosi:

-Pushimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit. -Ndaj vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, 17.01.2023 Gjykata e Apelit Tiranë