Transmetuar më 18-01-2023, 22:53

Bulmetet që shiten në Shqipëri, një pjesë e mirë e tyre janë të falsifikuara, plot miell qumështi pluhur dhe turli lëndësh të dëmshme për shëndetin. E megjithatë, kjo nuk pengon kompani private që në emër të rritjes së fitimeve të abuzojnë kështu.

Në një përpjekje për të zbardhur më shumë skemën që funksionin në disa kompani, emisioni Inside Story në Tch ka realizuar blerjen e disa llojeve të ndryshëm të djathit në mënyrë rastësore, mostra të cilat u dërguan për analiza.

Përzgjedhja është bërë nga produktet me çmime më të lira, tek ato më të shtrenjta, për të parë një tregues të rëndësishëm siç është niveli i yndyrës. Tregues, që të çon drejt zbulimit nëse kemi të bëjmë me yndyrë shtazore, apo vaj palme.

Për të realizuar një proces të saktë dhe korrekt, është bërë ruajtja dhe transporti i mostrave me një termues ftohës. Më tej u dërguan në një laborator në Tiranë, ku dalja e analizave kërkonte disa ditë kohë.

Por, jo çdo qytetar e ka këtë mundësi dhe askush nuk mund ti drejtohet laboratorëve sa herë furnizohet me bulmet.

Kjo procedurë normalisht është një punë rutinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Megjithatë, ka disa teste të thjeshta që çdokush nga ne mund t’i realizojë në shtëpi.

Tek djathi, ai që konsiderohet si problem që haset masivisht është shtimi i masës duke përdorur niseshte.

Për të kuptuar këtë, janë marrë disa mostra djathit në një prej dyqaneve pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Në total, 8 mostra të ndryshme të përzgjedhura në mënyrë rastësore ku përfshihen djathë dhie, dele dhe lope.

Produktet janë prodhim i subjekteve nga zona të ndryshme të vendit që emërtohen sipas njësive lokale nga vijnë në kryeqytet. Në fakt, kjo është edhe mënyra se si ato tregtohen pa pasur asnjë etiketë apo informacion nëse kanë përbërës shtesë industrialë si vaji i palmës apo aromatizues.

Prova që bëhet është me jod, i njëjti që përdoret për mjekimin e plagëve të ndryshme që çdokush mund ta ketë në shtëpi.

Hidhen disa pika në secilën mostër. Djathi që fillon të nxihet dhe ndryshon ngjyrë tregon se ka përqindje niseshteje në brendësi të tij.

Nga prova jonë rezultoi se djathë lope Përmeti ndryshoi ngjyrë dhe u bë blu siç mund ta shihni. Djathi miks i prodhuar nga një baxho në Pogradec gjithashtu ndryshoi ngjyrën dhe u bë më i errët. I njëjti rezultat bëhet edhe tek djathi i dhisë i prodhuar në Ersekë.

Pra, prova rastësore zbuloi se të paktën 3 prej mostrave janë produkte të falsifikuara. Përdorimi i niseshtesë bëhet nga prodhuesit për të rritur masën me një kosto më të ulët. Këtu, jemi përballë një mashtrimi ndaj konsumatorit i cili po konsumon niseshte!

Ka edhe një metodë tjetër për të zbuluar nëse bulmeti që ne konsumojmë ka përbërës natyralë apo është i falsifikuar si 3 mostrat që treguam.

Një pjesë nga djathi që kemi blerë e kemi vendosur në enë me ujë të pastër. Të gjitha enët me djathin e zhytur në ujë i kemi lënë për dy javë në një ambient të freskët siç na sugjeruan ekspertët e sigurisë ushqimore.

Kjo është një metodë për të zbuluar nëse djathi përmban niseshte ose vaj palme. Nëse uji bëhet si i verdhë dhe ngjit tregon që ka sasi të vajit të palmës. Nëse produkti përmban vaj palme, prodhuesi duhet ta demonstrojë qartë me etiketë, gjë e cila, nuk është prezente në asnjë prej produkteve.

Nga prova që ne kryem na rezultoi se uji ku është vendosur djathi i deles së Gjirokastrës ka marrë ngjyrën e hirrës.

Djathi i dhisë së Gjirokastrës është tretur si kos. Nëse produkti kthehet në gjendje të lëngshme si përbërësi fillestar që është qumështi, tregon se ai është cilësor.

Djathi i dhisë së Libohovës ka marrë ngjyrën e hirrës. Djathi i deles së Libohovës nuk është bërë si hirrë, por ka marrë ngjyrë të bardhë. Kjo të çon drejt dyshimeve për përbërës të tjerë. Një prej tyre mund të jetë niseshteja.

Në djathin miks të Pogradecit uji është bërë si i ngjitshëm. Sipas ekspertëve nëse uji bëhet si i verdhë dhe ngjit, kjo tregon se nga djathi ka dalë vaji i palmës. Djathi i lopës së Përmetit ka qëndruar i fortë.

Edhe ky është një tregues jo normal. Kujtojmë se ky djathë në fillim me provën e jodit rezultoi të ishte me niseshte. Ribëjmë edhe një herë provën e jodit pasi e kemi lënë për 15 ditë në ujë. Përsëri djathi merr ngjyrë blu. Pra, ka përmbajtje niseshteje.