Transmetuar më 21-01-2023, 09:13

KOSOVË- Përmbytje masive në Kosovë.

Forca e Sigurisë së Kosovës me ekipet e saj të Kërkim Shpëtimit në ujëra, pas situatës së rënduar të përmbytjeve në Kosovë, ka ngritur gatishmërinë operacionale. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se FSK-ja ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të jetëve të qytetarëve në zonat e prekura Skenderaj, Istog, Klinë dhe Mitrovicë.

Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna. Qeveria thotë se është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK] tha se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ndërsa nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore.

Disa objekte banimi, ekonomi familjare (biznese), toka bujqësore dhe shumë vetura të qytetarëve në Komunën e Skenderajt janë përfshi nga vala e madhe e vërshimeve të cilat kanë ardhur si pasojë e reshjeve të shiut. Përmes disa fotografive shihet se si nga vërshimet uji ka dëmtuar disa vetura gjatë ditës së enjte.

Kryetari i Komunës së Skenderaj ka thënë se nga vërshimet janë evakuuar rreth 120 familje. Sipas tij, dëmet janë shumë të mëdha si në infrastrukturë, në ekonomi familjare dhe në biznese.

“Sot gjendja është më stabile, niveli i ujit ka rënë dukshëm, është i qetë dhe reshjet janë ndal, por dëmet janë shumë shumë të mëdha, si në infrastrukturë, si në ekonomi familjare, biznes. Vlerësohet me miliona dëme që janë të shkaktuara”, pohoi ai.

Ndryshe, vërshimet e mëdha nga reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna të Kosovës, si në objekte banimi, toka bujqësore dhe bllokimin e shumë rrugëve. Gjendja më e vështirë është raportuar në Komunën e Skenderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut, ku shumë familje kanë dal nga shtëpitë e tyre për ta kaluar natën tek familjarët e të afërmit e tyre, për shkak se objektet e tyre të banimit janë vërshuar nga uji.