Transmetuar më 25-01-2023, 16:51

Janë publikuar rregullat e reja në lidhje me përgatitjen e testeve të Maturës.

Mbi bazën e një vendimi të marrë nga Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA-ja) do të ngrejë grupet sipas lëndëve, për hartimin e fondit të pyetjeve, sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi dhe rregullores së brendshme të institucionit.

Anëtarët e grupeve lëndore në kontratën që nënshkruajnë me QSHA-në marrin përsipër të ruajnë sekretin e hartimit të fondit të pyetjeve dhe të mos jenë në konflikt interesi. Fondi i pyetjeve është jo më i vogël se dhjetëfishi i pyetjeve që do të përmbajë testi përkatës.

Fondi i pyetjeve për provimin e teorisë profesionale të integruar, për Maturën Shtetërore Profesionale të përgatitet me 4 teste alternative për drejtimet/profilet dhe të përzgjidhet vetëm një test për provim. QSHA-ja ngre grupet e punës, për hartimin e testeve të Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, sipas kualifikimeve profesionale të cilat miratohen me udhëzim të posaçëm. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës, do të bëhet përmes teknologjisë digjitale, nga specialistë (PTP) të caktuar me urdhër të QSHA-së.

Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve do të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të QSHA-së. Të drejtën e përzgjedhjes dhe hartimit të testit përfundimtar të provimeve të Maturës (sesioni i parë dhe i dytë) e kanë vetëm PTP-të. Specialistët e QSHA-së, nuk kanë të drejtë të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e provimeve të maturës të hartuar nga PTP-të. Pas hartimit të testeve përfundimtare kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testeve të maturës nga punonjësit e caktuar me urdhër të QSHA-së.

Në faqen zyrtare të QSHA-së shpallen:

a) formularët A1 dhe A1Z. Udhëzuesi i plotësimit online të formularit A1/A1Z nga maturanti/kandidati në portalin qeveritar “E-Albania”, si dhe në vijim në portalin “Matura Shtetërore”;

b) udhëzuesi i plotësimit online të bazës së të dhënave nga KSHMSH-ja në portalin “Matura Shtetërore”;

c) udhëzuesi i plotësimit të bazës së të dhënave nga KSHMSH-ja në portalin “Maturanti”.

Maturanti/kandidati bën aplikimin online, fillimisht në portalin qeveritar “E-Albania”, më pas, në portalin “Matura Shtetërore”, në periudhën e përcaktuar nga QSHA-ja, sipas një plani kalendar të publikuar në faqen e internetit të QSHA-së.

Aplikimi në portalin “Matura Shtetërore”, bëhet edhe sipas afateve të vendosura nga QSHA-ja.

KSHMSH-ja, deri në datën e përcaktuar nga QSHA-ja afishon në shkollë, një kopje të bazës së të dhënave, të shkarkuar nga portali i Maturës Shtetërore dhe pret vërejtjet e maturantëve/kandidatëve për korrigjime të mundshme në bazën e të dhënave të regjistruara në portalin “Matura Shtetërore”.

Brenda datës së përcaktuar nga QSHA-ja, KSHMSH-ja bën verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem.

Çdo maturant/kandidat do të plotësojë/firmosë në KSHMSH formularin e deklarimit të saktësisë së të dhënave të tij në portalin “Matura Shtetërore” dhe ky formular ruhet nga KSHMSH-ja deri në përfundimin e vitit shkollor përkatës.

Plotësimi i formularëve A1 dhe A1Z 1.

Plotësimi i formularit A1 nga maturantët e këtij viti shkollor bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm të lartë dhe arsimin e mesëm të lartë profesional. Plotësimi i formularit A1Z, nga maturantët e viteve të mëparshme (kandidatët), bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm të lartë. Në rastin kur shkolla e mesme është mbyllur, KMSHja cakton një shkollë të vetme, në të cilën kandidatët bëjnë plotësimin e formularit A1Z. Kandidatët bëjnë plotësimin e formularit A1Z në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja, duke paraqitur në KMSH e ZVAP-së dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës dhe/ose për të aplikuar në IAL.

b) Kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi/certifikatën e Maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.

Plotësimi i formularit A1Z nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, bëhet në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja në ZVAP.

Kandidati i para vitit shkollor 2011, jep provime të Maturës sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimin e MAS-it, “Për organizimin dhe zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore”.

Për shkollat profesionale dhe shkollat e mesme të orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar dëftesën e pjekurisë, si provime të detyruara njihen:

a) letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë dhe janë fituar;

b) një ose dy nga provimet, në mungesë të letërsisë dhe të matematikës, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. KMSH-ja në ZVAP përcakton provimet, rezultatet e të cilave do të mbarten në sistem në vend të letërsisë dhe matematikës.