Transmetuar më 26-01-2023, 22:05

Ndodh rrallë në vendin më të nxehtë në Tokë!

Shkretëtira e Saharasë është mbuluar nga dëbora gjatë këtyre ditëve.

Në media dhe rrjetet sociale janë publikuar imazhet e rralla të shkretëtirës më të madhe në botë e cila u zbardh nga dëbora.

Imazhet e fotografit Karim Bouchetata tregojnë borën dhe akullin pranë qytetit Ain Sefra në veriperëndim të Algjerisë.

Rajoni ka përjetuar borë vetëm disa herë në 40 vitet e fundit. Të vetmet reshje dëbore në Ain Sefra janë regjistruar në vitet 1979, 2017, 2018 dhe 2021.

Ain Sefra është në malet Atlas, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe quhet "porta e shkretëtirës". Ndodhet në provincën Naama të Algjerisë, afër kufirit maroken. Kur shkretëtira u zbardh nga bora temperaturat kishin rënë në -2 C.

Të gjithë e njohim Saharanë si shkretëtirën më të thatë në botë, me temperatura që shkojnë deri në 50 C. Shkretëtira e madhe shtrihet në 11 vende: Algjeria, Çadi, Egjipti, Libia, Mali, Mauritania, Maroku, Nigeri, Sahara Perëndimore, Sudani dhe Tunizia. Dunat e rërës mund të arrijnë deri në 180 metra lartësi dhe uji është i pakët në rajon.