Transmetuar më 27-01-2023, 05:43

Plot 16 kamera sigurie, të vendosura nga grupet kriminale, janë çmontuar në Vlorë pasditen e kësaj të enjteje.

Kjo është skema më e re e krimit që dublon policinë dhe vendos kamera në mjedise publike për të pasur situatat nën kontroll ndaj rivalëve.

Policia bën me dije se kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë në qytet, përkatësisht në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Kamerat u vendosën nga grupet kriminale, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e policisë.

Nuk dihen ende se kush janë personat që kishin instaluar kamerat, ndërsa policia po punon për identifikimin e tyre.

Megjithatë policia njeh mirë kush janë elementët kontigjentë që jetojnë në ato zona.

Ajo tha se ky ishte finalizimi i fazës së tretë të operacionit “Fijet”, që rezultoi me çmontimin e 16 kamerave që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin.

Vlora nuk është qyteti i parë ku grupet kriminale kishin vendosur kamera sigurie. Një ditë më parë u çmontuan edhe 38 kamera në tre lagje të Shkodrës.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe përbën veprën penale "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.