Transmetuar më 27-01-2023, 11:08

Shkodër- Sherri mes dajës dhe nipit, përfundoi në plagosjen e këtij të fundit mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shkodrës. I plagosur nga kjo ngjarje e rëndë mbeti 44-vjeçari Bledar Troshani. Ai u godit disa herë me thikë nga daja i tij, 78-vjeçari Zyhdi Shpejtimi, i arrestuar nga policia. Ai nuk e ka kaluar ende rrezikun për jetën, për shkak të plagës që ka marrë në bark. Goditja me thikë i ka dëmtuar atij disa organe duke bërë që t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë.

Në dëshminë para uniformave blu është shprehur se kishte dyshime se nipi i ngacmonte të shoqen. 44-vjeçari e ka konsideruar absurde këtë gjë por kjo nuk e ka bindur të moshuarin, i cili nën efektin e pijeve alkoolike ka marrë një thikë në shtëpi dhe ka plagosur Trashanin.

Menjëherë pas kësaj ngjarje të ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës, në zonën pas Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, mbërritën forcat e policisë duke bërë arrestimin e 78 vjeçarit. Ndërkohë menjëherë i plagosuri u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore. 44 vjeçari kishte humbur shumë gjak por mundi të mbijetojë. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.