Transmetuar më 28-01-2023, 08:51

Shkodër- Policia e Shkodrës ka arrestuar Dedë Nikaj 32 vjeç si i dyshuari kryesor për vendosjen e eksplozivit në shtëpinë e oficerit të policisë Prelë Milani dhe në atë të Zef Bungajës, ngjarje të ndodhura më 4 janar 2020.

Mbi 32 vjeçarin rëndojnë dy akuza. Ajo e shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake, shpërthyese”.

Në momentin e shpërthimit në shtëpi kanë qenë bashkëshortja dhe vajza e oficerit ndërsa vetë oficeri ka qenë në automjet duke shkuar në komisariat të policisë në Shkodër.

Sasia e lëndës plasëse e dyshuar si tritol u vendos në pjesën e pasme të banesës së policit në zonën e Zooteknikës.

Pavarësisht shpërthimit polici Prelë Milani nuk e ka kuptuar se ka ndodhur në banesën e tij duke qenë se është me një oborr të madh dhe ka vijuar rrugën për të dalë në punë.

Ai është lajmëruar më tej nga familjarët për ngjarjen.

Vetë polici Milani dyshoi në atë kohë se ngjarja ka ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth, për shkak të problematikës në kultivimin e drogës.

Policia vendore informon se ‘strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të punës hetimore të kryer, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve, bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, bënë të mundur grumbullimin e provave, për një autor të dyshuar të dy ngjarjeve me eksploziv, të ndodhura në vitin 2020.

Bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për shtetasin Dedë Nikaj 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese", kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesazhi”, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 33-vjeçarit, i dyshuar si autor i vendosjes së lendës eksplozive, e cila ka shpërthyer në banesën shtetasit Prelë Milani, me detyrë oficer Policie ne Komisariatin e Policisë Shkodër, dhe në banesën e shtetasit Zef Bungaja, ngjarje të ndodhura në datë 4 Janar 2020, në qytetin e Shkodrës.