Transmetuar më 28-01-2023, 10:54

Avokatja e vajzës 23-vjeçare që ka denoncuar Dani Alves për një sulm seksual të dyshuar në një klub nate në Barcelonë, Ester Garcia Lopez, ka zbuluar detaje të reja të çështjes.

Ajo ka treguar se futbollisti nuk ka përdorur prezervativë në përdhunimin e dyshuar dhe se e reja është dashur të përdorë ilaçe antivirale për të parandaluar infeksionet seksualisht të transmetueshme (STD), si dhe është nën trajtim psikiatrik, po e shmang ndjekjen e lajmeve.

“Ajo po merr mbështetje psikologjike përmes një enti publik të specializuar në trajtimin e viktimave të dhunës, – tha Garcia Lopez për median braziliane “UOL”. – Spitali i ka nisur një trajtim të plotë që synon të shmangë çdo lloj sëmundjeje infektive, pasi ai nuk përdorte prezervativ. Ajo gjithashtu po merr trajtim farmakologjik me anksiolitikë për të fjetur, sepse është e shokuar”.

Ester Garcia Lopez vuri në dukje se shërbimi i shpejtë brenda natës i një njësie të specializuar për krimet seksuale në Barcelonë mundësoi mbledhjen e provave në këtë rast: “Për fat ajo u largua nga klubi me ambulancë dhe shkoi direkt në Njësinë Qendrore të Agresioneve Seksuale”.

Pra, ndryshe nga shumica e viktimave të dhunës seksuale, të cilat për shkak të traumës lajnë të brendshmet, ajo nuk ka pasur kohë të mendojë për këtë, i ka lënë provat aty.

Avokatja ka dashur të sqarojë se e reja nuk ka konsumuar alkool atë natë: “Ajo ofroi një deklaratë koncize, pa asnjë kontradiktë, dhe kjo është e rrallë. Shumë gra vuajnë stresin post-traumatik dhe harrojnë detajet, i kujtojnë më vonë, por kjo nuk e zhvlerëson të vërtetën. Në rastin e saj, kjo nuk ndodhi, ajo kujtoi gjithçka nga fillimi deri në fund”.

Avokatja është e impresionuar nga gjyqtarët: “Mundësia e arratisjes së zotit Alves, i cili ka kushte të favorshme ekonomike dhe shtetësi të dyfishtë, ishin faktorë përcaktues për arrestimin e tij. Pavarësisht se si përfundon çështja, për mua tashmë është një rast shembullor se si ka nisur.

Ka disa personazhe publike që mendojnë se janë mbi të mirën dhe të keqen, që mendojnë se askush nuk do ta besonte kurrë denoncimin e një vajze si klientja ime.

Ka shumë gra që nuk denoncojnë krimet, kur agresori është personazh publik për shkak të vështirësisë në nivel emocional dhe gjyqësor. Por besoj se në këtë rast, sido që të përfundojë, burgu pa kusht tashmë është shembullor”.

Sipas deklaratës së “viktimës”, të cilën gjyqtari hetues e konsideron "të fortë dhe këmbëngulëse", futbollisti e ka përdhunuar në banjën e një zone të rezervuar të klubit të natës “Sutton” në Barcelonë, mesnatën e 30-31 dhjetorit.

Pas ndryshimit të fundit legjislativ, dënimet për kësi veprash penale në Spanjë variojnë nga 4 deri në 12 vite burg, kur agresioni konsiston në përdhunim të dhunshëm vaginal, anal ose gojor.