Transmetuar më 28-01-2023, 16:07

Tiranë- Presidenti Bajram Begaj ka takuar në këtë ditë të veçantë shkrimtarin Ismail Kadare. Begaj e cilëson Kadarenë si “ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë”. Duke ia uruar ditëlindjen, Begaj thotë se Kadare ka rritur dhe ka nderuar emrin e Shqipërisë.

“Patëm kënaqësinë që së bashku me Armandën, t’i uronim sot ditëlindjen mjeshtrit të letersisë shqipe, Ismail Kadare. I përkthyer në mbi 45 gjuhë, ai është ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”, shkruan Begaj.

Ismail Kadare një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbush sot 87 vjeç. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’.