Transmetuar më 31-01-2023, 18:58

Tiranë- Është zyrtarizuar kërkesa e 28 deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës. Kërkesa për shkarkimin e Nikollës ka ardhur nga 28 deputetë të Partia Demokratike, ku theksohet se Kryetarja e Kuvendit, me qëllim të vetëm mbrojtjen politike të Edi Ramës, të kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një agjent të FBI-së të lidhur me Rusinë, vendosi në paligjshmëri dhe arbitraritet të mbyllë Parlamentin. Kërkesa është firmosur edhe nga 4 deputetë të grupit të Berishës.

‘Për llogari të Edi Ramës, që drejtësia amerikane e faktoi para botës mbarë lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.’- thuhet në kërkesë.

Sipas 28 deputetëve të PD, kryetarja e Kuvendit, duke iu mohuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me çështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, duke përdhosur parlamentarizmin dhe minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.