Transmetuar më 17-02-2023, 09:16

KOSOVË- Sot festohet 15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë të mbajtur për nder të 17 shkurtit, tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës, dhe se pavarësia do të rritet vetëm përmes punës. Kurti gjatë mbledhjes tha se duhet të kenë parasysh amanetin e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e tyre për lirin e Kosovës. Po ashtu kryeministri u shpreh se Kosova është shembull i demokracisë në Ballkan.

“Simbolikisht kemi zgjedhur ta hapim këtë ditë jo me ceremoni, por me mbledhje. Sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna dhe festa në Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. Ata punojnë këtu por edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre. Në këtë festë, 15 vjetor të pavarësisë duhet t’ia përkujtojmë vetes se detyra jonë kryesore është që kur të vij 20 vjetori të jenë shtuar e shumëfishuara arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin Kosovën për një të ardhme profesionale, të plotë e për një jetë më të mirë. Jeni ju ata që nuk keni lejuar dhe nuk do të lejoni që në Kosovë të abuzohet me pushtetin, jeni ju ata që e meritoni urimin dhe falënderimin e përzemërt për 15 vjetorin e kësaj demokracie. Pavarësia jonë që rezultat i historisë shekullore të Kosovës si vend ku kanë jetuar krahë për krah me shumicën shqiptare dhe bashk me të edhe komunitet të feve e gjuhëeve të ndryshme. E dimë mirë se çfarë është bashkëjetesa. Sot në këtë 15 vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi që Kosova e bën mjaft mirë dhe e kemi fjalën për të drejtat e pakicave. Na përket neve që të përkujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet”, tha Kurti.

Kosova feston sot 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ngjarje e shënuar më 17 shkurt të vitit 2008. Në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova fitoi Pavarësinë e kërkuar prej vitesh. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë. Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet pas hekurave në Hagë. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.