Transmetuar më 09-03-2023, 13:40

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Ministrat e miratuan këtë vendim "në lexim të parë", pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.

Kjo praktikë zbatohet në të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë në zonën Schengen të Bashkimit Evropian pa regjim vizash.

“Përjashtimi për detyrimin për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) ose prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme“, tha Malmer Stenegard.

Sakaq, kryeministri Edi Rama tha pas vendimit se "një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës!  Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian". /noa.al