Transmetuar më 15-03-2023, 21:48

Në Kanada, nxjerrja e gishtit të mesit fqinjit mund të mos jetë e sjellshme, por tani mbrohet nga Kushtetuta si liri e shprehjes.

Më konkretisht, në një vendim prej 26 faqesh, gjyqtari Dennis Galiatsatos hodhi poshtë akuzat kundër një të riu që dyshohet se ngacmoi fqinjin e tij në këtë mënyrë në një periferi të Montrealit.

Sipas vendimit të gjykatës, “nxjerrja e gishtit të mesit ndaj dikujt nuk është krim”, por është pjesë e të drejtës së individit për lirinë e shprehjes, citon noa.al, të përditshmen The Guardian.

Gjithçka filloi kur i akuzuari, Neall Epstein, një mësues dhe baba i dy fëmijëve, u arrestua nga policia në maj 2021 për kërcënimin dhe rrahjen e fqinjit të tij Michael Naccache, në Beaconsfield, Quebec, duke i treguar gjithashtu gishtin e mesit.

Dëshmia video, e marrë nga pamjet e CCTV, "tregon qartë Epstein duke shikuar në drejtim të ankuesit dhe duke i treguar atij gishtin e mesit, ndonjëherë edhe me të dy duart."

Më vonë atë ditë, Epstein u kthye në shtëpinë e tij për të gjetur oficerët e policisë që e prisnin. Ai u arrestua për kërcënimet e bëra.

Megjithatë, gjyqtari konkludoi se gjesti i gishtit të mesit, “mund të mos jetë i civilizuar, mund të mos jetë i sjellshëm… Megjithatë, nuk mund të mbahet përgjegjësi penale”. /noa.al