Transmetuar më 17-03-2023, 14:19

Shkodër- Gjykata Shkodër ka vendosur që të lirojë nga burgu nënën lehonë Diana Bahçja, e cila u arrestua nga policia duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh, pasi gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër, duke ia konvertuar një javë më parë, në 50 ditë burg.

Ajo ka deklaruar për gazetarët se gjatë arrestimit i ka treguar policëve se kishte një fëmijë në gji.

Mbrojtja kërkoi lirimin e menjëhershëm, me të cilin ishin dakord dhe prokurorët, por kërkuan shlyerjen e gjobës prej 2.5 mln lekësh të vjetra.

Avokati i Diana Bahçja ka folur pas lirimit të saj. Ai tha se drejtësia është vendosur në vend ndërsa për gjobën ka pasur shumë telefonata, nga njerëz që të kontribuojnë për ta paguar.

Avokati: Drejtësia u vu në vend, ishte vendim i drejtë dhe human. Dua të bëj disa falenderime. Gjykatën që edhe në këto kushte të reformës në drejtësi vendosi në kohë rekord për të caktuar datën, prokurorinë, po ashtu edhe kolegët e mi që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Kam edhe një falenderim për ju, mediat që pa ju do ishte e pamundur të realizohej në kohë të shkurtër. Në lidhje me gjobën kemi marrë shumë telefonata që janë vetë ofruar për të paguar gjobën. Tek 200 mijë lekëshi.

Sakaq burri i saj ka thënë se nuk kishin dijeni për gjobën teksa kishte një falenderim për të gjithë.

Burri: Shumë faleminderit nga zemra. Nuk kemi qenë në dijeni të gjobës. Jo Diana nuk e takon. E ka kërkuar. Nuk e kanë lejuar. Unë po. Per mua ka qenë e vështirë.