Transmetuar më 18-03-2023, 12:05

Më 27 mars, kombëtarja jonë kuqezi do të ngrejë siparin e fushatës kualifikuese të “Euro 2024”. Sylvinho, trajneri i ri kuqezi do të debutojë në transfertë, kundër Polonisë së fortë të Lewandowki. Pasi shpalli dje listën e 23 lojtarëve që do të ketë në dispozicion, trajneri brazilian doli sot në konferencë për shtyp dhe bëri prognozën e kësaj ndeshjeje, duke mos parë më larg se Polonia.

Gjë që ka dashur ta theksojë disa herë në fjalën e tij: “Fillimisht them se është nder të jem këtu si trajner i kombëtares së Shqipërisë. Dua të falënderoj federatën që më ka lejuar mua dhe stafin tim të udhëtoj në Europë e jashtë saj, të vizitoj lojtarët, të shoh ndeshjet e tyre. Janë dy muaj punë intensive, më shumë se 240 ndeshje të shikuara.

Po flasim për 60-70 lojtarë të skanuar, pastaj shumë punë për të arritur te 23 lojtarët që kam thirrur për ndeshjen me Poloninë. Mendojmë se është një grumbullim në funksion të kësaj ndeshjeje. Në stërvitje duhet të kuptojmë gjithçka, puna është kjo. Jemi të lumtur nga ajo që kemi parë, nga ajo që na ka mundësuar federata, të udhëtojmë e t’i shohim nga afër lojtarët.

Dua të falënderoj edhe ‘Shtëpinë e Futbollit’, jetoj në Tiranë dhe është kënaqësi të vij këtu. Këtu kam bërë stërvitje në fushë me disa të rinj vetëm për të kuptuar nëse kishte ndonjë gjë që nuk shkonte apo problem, por tani presim lojtarët.

Mehmeti është më i ri, po bën një rrugëtim shumë të mirë duke luajtur në Championship. Ai është lojtar krahu, i aftë, i ri, duhet të zhvillohet e përmirësohet. Asani është një anësor i majtë, ku kishim mungesa. Është një mesfushor sulmues, i cili ka bërë një rrugëtim të rëndësishëm në Hungari. Tani luan në Korenë e Jugut, sot ka shënuar tre gola.

Po ndjekim atë dhe shumë të tjerë. Kemi vlerësuar rreth 70 lojtarë. Rreth 15 ditë më parë ishim të gjithë në 08:30 të mëngjesit për ta parë Asanin teksa luante në kampionat, është një punë që duhet bërë.

Skema që preferoj? Kemi ftuar 23 lojtarë duke menduar vetëm për këtë ndeshje. Mund të aplikojmë rreshtime të ndryshme, 4-3-3, 4-3-2-1, 3-4-3, sepse kemi lojtarë për shumë skema loje. Ende duhet të kuptojmë ndjesinë e parë me lojtarët, të shohim të hënën.

Mungojnë Mihaj, Doka, Çekiçi, Roshi, Muçi; pse kjo zgjedhje? Na si staf teknik duhet të bëjmë zgjedhjet tona, por të gjithë këta lojtarë janë të rëndësishëm. Ne i kemi ndjekur, ata mund të na ndihmojnë në të ardhem, por edhe tani. Ju thashë se këto 23 lojtarë janë thirrur në funksion të ndeshjes me Poloninë, të tjerë do të kenë shanse në grumbullimet e mëvonshme.

Askush nuk është i përjashtuar. Jo vetëm këto lojtarë që përmendni ju, por edhe mjaft të tjerë i kemi në mbikqyrje. Meqë ra fjala, Muçolli është një lojtar tjetër që na bën punë, e kam në listë dhe mund të jetë një nga ata që na bashkohen në grumbullimet e ardhshme.

Kështu është puna në Kombëtare. Shohim shumë lojtarë, të gjithë janë të rëndësishëm. Të ecim përpara dhe të luftojmë për çdo pikë, në çdo fushë. Vetëm kështu mund të kualifikohemi. Situata me portën, teksa Berisha dhe Strakosha nuk kanë luajtur asnjë minutë me klubet e tyre? Të dy i kam takuar.

Nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por janë lojtarë me eksperiencë dhe shumë të rëndësishëm. Kur të vijnë në grumbullim do ta shoh gjendjen e tyre, por ne na duhen lojtarë me eksperiencë, të fortë dhe këto të dy i plotësojnë këto kritere.

Kundërshtari? Polonia është e fortë, një kombëtare e rëndësishme e cila është mësuar të luajnë në Kupa Bote apo Kampionatin Europian. Kemi shtatë ditë për t’u përgatitur, do të ikim atje me shumë dëshirë, për të dhënë më të mirën dhe pse jo, marrë pikë.

Do t’ju kërkoj lojtarëve të luajnë me shpirt dhe zemër mbi të gjitha, pavarësisht taktikës apo teknikës së tyre. Do të luftojmë në Poloni për të marrë pikë, do t’i luajmë shanset tona në këtë sfidë. Letër motivuese lojtarëve, si dikur De Biasi? Më pëlqen një gjë e tillë.

Futbolli është i bukur, është e rëndësishme të kemi lojtarë që japin zemrën dhe shpirtin në fushë. Teknologjia ka avancuar, nuk ka nevojë më për shkrim dore dhe letër. Do të bëjmë një gjë të ngjashme, kam përgatitur diçka për t’i motivuar më shumë lojtarët.

Të gjithë lojtarët duhet të ndihen të rëndësishëm me ne. Ka një ndryshim të madh me periudhën kur erdha në Shqipëri. Është bërë punë e madhe, tani i kemi idetë më të qarta. Do të njihemi gradualisht me të gjithë lojtarët.

Kombëtarja ka një specifikë tjetër, mungesat do të na kushtëzojnë. Megjithatë nuk dua të qahem për mungesat apo problematikat. Do të kemi nga 3-4 lojtarë për çdo pozicion. Rëndësi ka që të nisim nga puna dhe të punojmë sa më shumë.

A ka Polonia një pikë të dobët? Fatmirësisht, Polonia do të luajë me Çekinë para nesh dhe do të shohim si do të luajë. Ajo ka një trajner të ri si Santos, do të shohim si do të ndryshojë. Polonia luan rregullisht në Botëror dhe Europian, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë, do të tregojmë kush jemi. Futbolli ka dy faza, me top dhe pa top. Në këtë takim shkojmë me qëllimin për të marrë maksimumin”.