Transmetuar më 18-03-2023, 14:53

Nga njëra anë është vullneti për të vazhduar së bashku, nga ana tjetër joshja për t’u larguar nga PSG. Në të vërtetë, Lionel Messi dëshiron ta fitojë përsëri Ligën e Kampionëve, e cila do të ishte e pesta në karrierën e tij (potencialisht e para për PSG-në).

Konvergjenca e objektivave për momentin nuk e ka gjetur ende pikën e takimit. Në fakt, sipas mediave franceze, klubi i emirit nga Katari nuk ka formuluar ende një propozim konkret për kampionin argjentinas, të kërkuar tashmë edhe nga Al Hilal dhe Inter Miami.

Në Arabinë Saudite, ylli argjentinas do të mbulohej nga një “mal” me para. Shifrat e evokuara kohët e fundit nga mediat spanjolle janë befasuese. Për “Chiringuito”, klubi saudit është gati për një propozim me vlerë 600 milionë euro. Dyfishi i asaj që u shfaq në muajt e fundit.

Në çdo rast, më shumë se 200 milionë euro neto të garantuara për Cristiano Ronaldon nga Al Nassr. Nga ana tjetër, më real është interesimi i Inter Miami, i cili me mbështetjen e Ligës Amerikane i propozon Messit të bëhet ylli i kampionatit MLS dhe imazh i Botërorit të ardhshëm që do të luhet edhe në SHBA, më 2026.

Për momentin, Messi mbetet një lojtar i PSG-së, ku kontrata e tij neto prej 40 milionë euro skadon më 30 qershor, por ka edhe një vit shtesë si opsion për t’u aktivizuar. Megjithatë, klubi francez mori kohë, duke pritur përgjigjen nga Champions League. Eliminimi në 1/8 finale imponoi një ngadalësim të mëtejshëm dhe kështu asnjë draft nuk arriti në tryezën e babit Jorge.

Sipas “Le Parisien”, megjithatë, sheikët nga Katari nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ish-kapiteni blaugrana, i cili nga ana e tij kërkon garanci. Leo dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve. Pra, duhet të krijohen kushtet e nevojshme sportive, të cilat munguan këtë sezon.

Së fundi nuk duhet anashkaluar edhe pala e tretë, ajo e tifozëve dhe mediave vendase. Në fakt, jo të gjithë janë të bindur se PSG duhet të jetë ende e lidhur me një lojtar 36-vjeçar. Në të vërtetë, mes komentuesve të spikatur ka nga ata që do të preferonin që lidhja të përfundonte menjëherë, ndoshta edhe me Neymar, dhe të fokusohej te talenti dhe lidershipi i 24-vjeçarit Kylian Mbappe.

Nesër, PSG rikthehet para tifozëve të vet, për t’u përballur me Rennes. Kjo është ndeshja e parë pas eliminimit nga Champions-i. Vitin e kaluar pati ofendime dhe sharje, madje edhe ndaj Messit nga tifozët, mjaft të tërbuar deri në fund të sezonit, pas daljes nga Champions-i.

Ylli argjentinas ishte veçanërisht i befasuar. Këtë herë nuk ka mosmarrëveshje, por ultrasit do të jenë nën vëzhgim. Hezitime ka edhe nga përfaqësuesit e kampionit të botës që peshojnë çdo element përpara se të marrin një vendim përfundimtar.