Transmetuar më 26-03-2023, 09:49

TIRANË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të vizitojë sot Shqipërinë. Mësohet se së bashku me disa ministra të kabinetit të tij, Kurti do të ‘zbarkojë’ në Tiranë për një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.

Në takimin e Ramën, pritet që tema kryesore të jetë marrëveshja e Ohrit me Serbinë. Ende nuk dihet nëse do të jetë vetëm një takim informues apo do të ketë ndonjë kërkesë nga ana e Kurtit për Ramën.

Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin. Pas 12 orëve negociata, ai doli në një deklaratë për media ku u shpreh se bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Për rreth 10 orë u diskutua vetëm mes Albin Kurtit, Borrel, Vuçiç dhe Lajçak, por në një moment u kërkua me urgjencë prania e Gabriel Escobar. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.