Transmetuar më 30-03-2023, 22:27

TIRANË- Nga muaji prill është njoftuar rritje e pagës minimale.

Por duket se kostoja do të bjerë sërish tek buka e qytetarëve të kryeqytetit dhe jo vetëm. Një furrë bukë në Tiranë, ka lajmëruar se nga nesër do të rritet çmimi i bukës me 10-20 lekë të reja, pasi do rrisin me 50% pagat e punonjësve të tyre.

"NJOFTIM! Duke filluar nga data 10.04.2023 do të ngrihen çmimet me 10-20 lekë (të reja) për çdo artikull, kjo vjen si pasojë e ngritjes së pagave me 50% nga ana jonë, me qëllim frenimin e largimit të fuqisë punëtorë. Paga minimale do të ketë 60 000 lekë (të reja),"-thuhet në njoftim.

Një rritje e ngjashme e çmimit, por që justifikim kishte mungesën e grurit nga lufta në Ukrainë, u tentua edhe një vit më parë. Autoriteti i Konkurencës, e justifikoi rritjen e çmimit të produkteve të miellit me 20-30 lekë për produkt, duke u shprehur se është gjë normale dhe nuk ishte faji i bizneseve.