Transmetuar më 31-03-2023, 12:24

Barcelona ka nisur tashmë të gjitha makineritë për të filluar rimodelimin e “Camp Nou”. Për këtë arsye, dhe siç raporton agjencia e lajmeve EFE, klubi katalanas ka njoftuar Federatën Mbretërore të Futbollit Spanjoll se do t’i luajë ndeshjet e saj sezonin e ardhshëm në shtëpi, në stadiumin olimpik “Montjuïc”.

Tani RFEF duhet të njoftojë UEFA-n, në funksion të angazhimeve të garave evropiane. Barcelona e kishte pezull këtë procedurë dhe e ka kryer së fundi. Verën e kaluar, klubi katalanas dhe këshilli i qytetit të Barcelonës njoftuan tashmë se gjatë sezonit 2023-2024, skuadra blaugrana do të zhvendosej në “Montjuïc” për të kryer punimet në stadiumin e njohur të Barcelonës.

Pikërisht, institucioni i drejtuar nga Joan Laporta e ka kryer këtë procedurë, ndërkohë që ka përfunduar negociatat për një marrëveshje financimi prej rreth 1.5 miliardë eurosh për të përballuar të ashtuquajturën “Espai Barça”.

Teksa ka dritë jeshile për gjithçka, klubi do të fillojë punimet e rimodelimit këtë verë. Akomodimi në stadiumin olimpik “Montjuïc” pritet të përfundojë në nëntor 2024. Pra, kjo zhvendosje përfshin edhe fillimin e sezonit 2024-2025.