Transmetuar më 24-04-2023, 11:35

Nga Ylli Manjani

Estetikisht, padyshim, ndërtimet e reja janë të bukura dhe moderne. Nëse dikush kërkon meritë elektorale për këtë le ta gëzojë. Por kjo NUK MJAFTON! Qyteti ka problem jetik me diellin dhe ventilimin e godinave të banimit.

Qyteti është i shëmtuar në vijën e horizontit. Pamja nga lart është dramatike. Qyteti ka problem të mprehtë me koston e lartë e shumë të lartë të jetesës. Krejt joproporcionale me të ardhurat nga ekonomia legjitime.

Qytetin ndërton, por nuk zhvillohet. Krijon fasada të bukura, por nuk strehon dot popullsinë sipas nevojës. Qyteti po merr pamjen e azilit të pleqërisë, pa asnjë lidhje me qytetin e rinisë. Kjo e fundit e ka të pamundur të fillojë jetën në qytet sepse çdo gjë është e pableshme.

Të paktën jo pa ndihmën e prindërve ose të trafikut të drogës. Kemi ndërtuar një qytet për ta parë me dylbi nga Surreli, por është aq i ndotur saqë nuk e sheh dot Surrelin nga qyteti.

Nga ana tjetër harbutëria në trajtimin e pronës private, për qëllime estetike, është kosto e kostove. Shëmbja e banesave publike e private, veçanërisht e godinve të trashëgimisë historike, për kulla dhe estetikë është shumë shumë e shtrenjtë.

Pa llogaritur këtu kostot e shkatërrimi të shtetit dhe institucioneve që ndëshkojnë pronarët privatë dhe legalizojnë grabitjen e pronës private. Ndaj gjykoj se, vlerësimi elektoral në këtë qytet duhet të jetë më i thellë sesa estetika e fasadave.

Estetika nuk hahet. As nuk sjell zhvillim. As të ardhurat nuk i rrit. As pronën private nuk e garanton. As diellin nëpër shtëpi nuk e sjell. Nuk po flas këtu për demokracinë, kostot e të cilës janë të pallogartishme.

Se kur qelben në pushtet s’bëhet fjalë për demokraci por për qelbësirokraci. Vota është ilaçi i vetëm. Asgjë e askush nuk mund të bëjë dot punën e votës!