Transmetuar më 01-05-2023, 21:30

Shqipëria është i vetmi vend në botë pa një rrjet hekurudhor funksional. Nëse hedhim sytë kudo në Evropë dhe më gjerë, transporti me trena është shumë i rëndësishëm, por këtu, është inekzistent.

E nëse hedhim sytë pas, kujtojmë faktin se ashtu siç bota vazhdon, edhe ne kishim linja hekurudhore në pjesën më të madhe të vendit.

Nga Tirana në Durrës udhëtohej të paktën 4 deri 8 herë në ditë me mori trenash që përshkonin hekurudhën për 30 deri 50 minuta.

Po ashtu kishte trena nga Tirana deri në Pogradec e nga kryeqyteti deri në Vlorë, si dhe deri në Shkodër. Nga kjo e fundit kishte tren mallrash deri në Malin e Zi.

Sot, situata vazhdon të jetë stanjative. Megjithatë, në trasetë ekzistuese të hekurudhës Tiranë-Durrës po shtrohen shinat për këtë linjë që pritet të përfshijë dhe aeroportin e Rinasit.

Ky është një investim që financohet 50 për qind nga Bashkimi Evropian, si një paketë e rëndësishme e një transporti efikas dhe eficient.

Projekti vazhdon me Korridorin 8 dhe me hekurudhën nga Vora deri në Hanin e Hotit.

Linja Tiranë-Durrës do të ketë tetë stacione, ku 5 janë ekzistuese dhe tre të reja.

Një prej tyre në qendër të Tiranës, aty ku ishte më parë stacioni qendror i trenit. Itinerari vijon në Kamzë dhe vazhdon në nyjen e Sukthit për të arritur portin e ri të Durrësit në Porto Romano, si dhe qendrën e Durrësit tek projekti arab.

Linja hekurudhore që prek edhe aeroportin e vetëm të Tiranës, do të ketë trena elektrikë, por shpejtësia e tyre në pjesën më të madhe të rrugës do të jetë 50 deri në 80 km në orë.

Megjithatë janë vetëm 39 km dhe pritet që kohëzgjatja të jetë midis 23 deri 30 minuta nga Tirana deri në Durrës.

Projekti pritet të jetë gati në shtator të 2024. Ai kushton 70 milionë euro. Gjysmën i ka dhënë BE, kurse 35 milionët e tjerë, BERZH, me një kredi të butë me 1 për qind interes vjetor.