Transmetuar më 16-05-2023, 15:21

Berisha: Sali Berisha nuk tërhiqet kurrë para bandave të krimit. Kësaj shëmtie elektorale, opozita do i përgjigjet fuqishëm!

TIRANË – Kryetari i PD, Sali Berisha i konsideroi zgjedhjet e 14 majit si zgjedhjet më të manipuluara në histori dhe deklaroi se do të jenë forumet e PD dhe opozitës, të cilat do të japin vendimin final për të njohur apo mos njohur këto zgjedhje.

Lideri opozitar vlerësoi rezultatet paraprake të raportit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, të vëzhguesve të Autoriteteve Lokale Rajonale të KE dhe të Parlamentit Europian, të cilat deklaruan se zgjedhësit votuan nën presion dhe jo të lirë. Vëzhguesit deklaruan se blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar.

Berisha akuzoi direkt Ramën si njeriun që në bashkëpunim me krimin ndryshoi vulnetin e zgjedhësve. Berisha e konsideroi trinomin Rama-Doshi-Brava si shëmtia më e madhe e procesit zgjedhor.

Berisha tha se, opozita me besimin më të madh do i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme kësaj shëmtie elektorale duke e konsideruar Edi Ramën si një armik i egër, i përbetuar i votës së shqiptarëve.

Berisha deklaroi se qëllimi i Ramës në këto zgjedje ishte asgjësimi i opozitës përmes rrënimit dhe manipulimit të zgjedhjeve. Ai shpreh se nuk do të tërhiqet kurrë para krimit shtetëror dhe jo shtetëror, duke iu përgjigjur interesit të mediave nëse do të japë dorëheqjen.

Berisha deklaroi se do të respektohet statuti i PD për një votëbesim të tij me një anëtar një votë.

I pyetur mbi rezultatin e zgjeedjeve në Shkodër, Berisha tha se, Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Ai u shpreh se, "të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat, e nxirrnin Bardh Spahinë 14 gjer në 16 pikë përpara". Ai denoncoi me emra "banditë si Pëllumb Gjoka dhe Tom Doshi që kanë blerë votat dhe ushtruar terror ndaj zgjedhësve në Shkodër".

Berisha tha se, "opozita me besimin më të madh do i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme kësaj shëmtie elektorale", pa dhënë detaje se për çfarë përgjigjeje bëhet fjalë.

DEKLARATA E PLOTË:

"Farsa zgjedhore 2023, si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të autoriteteve lokale rajonale dhe parlamentin dhe deklaratën e përfaqësuesve të Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion, dhe jo të lirë.

Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.

Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria nënvizon blerjen masive të votës gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit.

Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institutucioneve më prestigjoze të vëzhgimit të zgjedhjeve në Europë OSBE/ODIHR, KE në rastin konkret, kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale që është pranë KE DHE Parlamentit Europian, dështuan. Siç e patë vet, ata refuzuan të nxirrnin nga goja çdo cilësor që iu kërkua, që u qëmtua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjehdjeve më të manipuluarat, më të rrënuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.

Në këtë kontekst, populli opozitar pa si në dritën e diellit përpjekjen e narkoshtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën, jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin në ligj dhe Kushtetutë, por kaloi në aktin më absurd të mohimit të së drejtës së koalicionit për të zgjehdur kryetarin e vet, dhe i tmerruar emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij në listë.

Një aleancë krimi në nivel politik, dhe në nivel terreni u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Trinomi Rama-Doshi-Brava ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor.

Siç konstaton me shumë të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt pra, masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës së vërtetë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kishte 61 kandidatë, ishte një akt tjetër pabarazie të madhe, dhuna dhe terrori ndaj eksponentëve të opozitës. Është përdorur deri në pengmarrje të tyre.

Të gjitha këto janë dy konkluzione kryesore.

E para, Edi Rama është një armik i egër, i përbetuar i votës së shqiptarëve.

E dyta, janë një apel, një kushtrim për mbarë popullin opozitar, për çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, se barazia para ligjit, se të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarit, funksionojnë vetëm në rast se shoqëria voton e lirë. Të gjithë ata që shohin vendin e tyre të shkretohet me shpejtësi, të gjithë ata të cilët të dëshpëruar nga kjo maskaradë zgjedhore, po bëjnë valixhet të ikin nga Shqipëria, janë të ftuar të qendrojnë fuqishëm për të rivendosur me çdo kusht të drejtën e votës, të drejtën e lirë të votës së shqiptarëve.

PD ka në disponim me qindra fakte, dokumente, me të cilat Edi Rama ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ka me dhjetëra padi në organet të cilat janë kryekëput vegla të partisë shtet. PD do paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive SHBA, BE, dhe të vendeve mike për të faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme dhunimin masiv të të drejtës dhe të rezultatit të këtyre zgjedhjeve.

Ajo çka ne qëndrojmë plotësisht, se në një seri bashkish, kandidatët që fituan janë kandidatë të botës së krimit, drogës dhe votëblerjes. Numërimet janë një pazar i turpshëm që vazhdon të bëhet çdo minutë.

Pra, kësaj shëmtie elektorale, opozita me besimin më të madh do i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme.

Ne nuk heqim dorë kurrë nga ai zotim solemn që kemi që shqiptarët të votojnë të lirë."

PYETJE-PËRGJIGJE

Përtej të gjitha problemeve që ju listuat, si e lexoni votën e qytetarve, veçanërisht të Shkodrës? A mbani përgjegjësi si lideri i opozitës, a do të jepni ju dorëheqjen?

Berisha: Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat, e nxirrnin Bardh Spahinë 14 gjer në 16 pikë përpara. Nëse mendon ti, apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe joshtetëror.

Shkodra është shembulli më i shëmtuar, në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro dhe unë jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhën e krimit, pushtetin e krimit, nuk do ta pranojnë.

Kjo është përgjigjia ime për ju.

Ju i cilësuat zgjedhjet e 14 majit një maskaradë elektorale. Thatë se shumë prej fakteve, konstatimeve të opozitës kanë gjetur reflektim paraprak edhe në raportin e OSBE/ODIHR. A do ta njohë PD dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.

Berisha: Unë po flas qartë se kemi të bëjmë me procesin më të shëmtuar në historinë e vendit. Kemi të bëjmë me një proces ku qytetarët shqiptarë nuk votuan të lirë, dhe në të cilin u bënë presione të gjithëanshme.

Mbi bazën e kësaj, PD dhe koalicioni do marrë të gjitha vendimet.

Nuk mundet populli opozitar, një gjë u faktua, siç e patë. Përkundrejt kësaj stuhie të hapur për asgjësimin e opozitës, opozita qëndroi fuqishëm. Qëndroi dhe u faktoi shqiptarëve se qeveria dështoi në çdo përpjekje për ta asgjësuar atë, përveçse ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve kur blihej vota me 300 euro, kur operatori në votimin elektronik votonte për zgjedhësit, shoqëronte zgjedhësit, etj.

Këto ne i kemi të gjitha të dokumentuara.

Akuzat që ju bëni kundër procesit edhe mund të jenë të vërteta, por nuk është se thuhen për herë të parë nga kjo seli. Lulzim Basha në 2017, por edhe në 2021 pak a shumë kishte të njëjtat akuza për procesin. Ju vet i njihni vetes ndonjë faj dhe ndonjë përgjegjësi për atë rezultat. Nëse do të ulemi dhe do të shohim janë të paktën 240 mijë votues më pak krahasuar me zgjedhjet e 2021, dhe mosha mesatare e këtyre votuesve është mbi 45 vjeç. Rinia nuk ka dalë të votojë…

Berisha: Është mbi 45 vjeç, se Edi Rama ka përzënë rininë nga Shqipëria. Unë mund t’ju jap një shifër të EUROSTAT ju. Sipas EUROSTAT, nga 937 mijë shqiptarë që kanë braktisur Shqipërinë nga 2014-2022, 80% e tyre janë nën 30 vjeç. Cila është përgjegjësia e Sali Berishës?

Sali Berisha ka qenë Kryeministër, dhe nga viti 2007-2014, edhe një vit pasi ka ikur, ka lënë Shqipërinë në shtim progresiv të numrit të shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq. Janë kthyer 180 mijë familje për të investuar në Shqipëri nga emigracioni.

Pra, unë mendoj se nëse e marrim si një gjë serioze përgjegjësinë, duhet të dimë ta vendosim aty ku qendron. Ai tregues që ju cituat është një aktakuzë shumë e rëndë për Edi Ramën, që ka përzënë dhe përze të rinjtë nga Shqipëria. Ndiej përgjegjësi të madhe dhe të pafundme për çdo proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Duhet të më ndiqni pak.

E kam thënë gjithnjë edhe e them, e kam faktuar vet në vendimet më madhore rezultatin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm që e kam respektuar.

Por asgjë nuk më mposht mua, asgjë nuk më bën të tërhiqem në asnjë rast, në asnjë rrethanë para një dhunimi masiv të votës së lirë të shqiptarëve. Le të thotë kush në mbarë vendin se opozita, se Sali Berisha me veprimet e tij, me qendrimet e tij ndikoi, apo dhunoi votën e qytetarëve shqiptarë. Në asnjë rast. Kemi bërë fushatë model, në vlerësimin tim. Ne dhe kandidatët tanë.

Unë dhe kandidatët nuk kemi bërë asnjë lloj presioni, por të zotuar, sepse qëllimi ishte që ne të mos menim pjesë në zgjedhje, qëllimi ishte që ne të na asgjësonin pa marrë pjesë në zgjedhje. Të gjitha veprimet që u bënë, u bënë që ne të refuzonim pjesëmarrjen, por dështuan.

Nëse ti mendon se bandat pushtojnë, janë të fotografuara dhe të filmuara, dhe si padrino iu hedhin krahun në qafë çdo votuesi që futen në qendër votimi, dhe e nxjerrin, dhe quhet votim. Ky nuk quhet votim, kjo quhet batërdi.

Mediat kanë një meritë këtu, absolutisht në denoncimin e tyre, sepse kanë bërë shumë punë. Por ka shumë tani që përpiqen për të justifikuar Edi Ramën, të fajësojnë opozitën. Opozita ka një meritë shumë të madhe kësaj here, ua them unë ju. Nuk ra në kurthet e Rdi Ramës.

Opozita shqiptare u tregoi se çfarë ishte i aftë të bënte një kriminel si Edi Rama me bandat e tij, ndaj votës së tyre, dhe ndoqi me përpikmëri, pavarësisht pa vulë, pa emër, pa komisionerë, pa numërues, që nuk ka ndodhur kurrë. Çdo shqiptar t’i thotë vetes dhe të shohë rezultatin. Kujt i takonin komisionerët? Kujt i takonin numëruesit?

A di ti që numëruesit që na takonin ne,  Alibasha ia dha Tom Doshit? T’i jap me emër mbiemër? Ose PS. Po ky prapë, nuk ishte motiv që ne të braktisnim numërimin. Ne qnedronim në numërim, pikërisht për të parë.

Shkoni pak këtu në Tiranë se çfarë hani janë komisionet e numërimit, çfarë turpi. Ju i patë qendrat e votimit, ju s’keni parë kurrë prani zyrtarësh para qendrave të votimit si kësaj here. Që të gjitha duke intimiduar zgjedhësit.

Pra, procesi ishte ky, dhe ne natyrisht bashkë me koalicionin do marrim çdo vendim ndaj tij. Por, shqiptarët i ftoj që gjënë e fundit që do mendojnë për ata që duan të jetojnë në këtë vend, të heeqin dorë nga kj opërpjekje për t’i kthyer votën e lirë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Votën e lirë nuk ta kthen asnjeri, dhe unë i vlerësoj përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe e thanë të qartë: “Ato janë punët tuaja”, thanë. Se u përpoqën gazetarët t’i tërhiqnin. “Jo, thanë ata, u përgjigj përfaqësuesi, ato janë punërat tuaja.”

Kurse përfaqësuesi tjetër i Parlamentit Europian deklaroi: “Uroj, tha, se Shqipëria është e rëndësishme që mund të hapë negociatat vitin tjetër.” Kuptoni, apo jo. Zgjedhjet u panë, dhe prozhektorët ndërkombëtarë ishin mbi to. Natyrisht, tanët janë shumë të fuqishëm.

Ju theksuat që nuk tërhiqeni, pavarësisht rezultatit. Por a do ta respektoni statutin për të shkuar drejt një votëbesimi? Nëse humbisni votëbesimin, a do tërhiqeni?

Berisha: 100%, statuti do respektohet.

Statuti do respektohet pa asnjë lloj ekuivoku. Ne qendrojmë të pathyeshëm në në respektin e shtetit ligjor brenda partisë. Ajo është Kushtetuta jonë, atë do ta respektojmë pa asnjë hezitim.

Ju fajësuat qeverinë për rezultatin, duke akuzuar për vjedhje, manipulim votash, por në shumë bashki rezultati është ndarë me shumë pak vota. Nëse do të ishte bashkë PD, pra votat e Alibeajt do të ishin me votat e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, rezulton që do të merrnit mazhorancën në këto bashki. Referuar kësaj, duke e parë që PD e përçarë nuk po kthehet në fituese, çfarë do të bëni ju për të bashkuar PD?

Berisha: Në disa bashki, mandati është rrëmbyer. Shko në Rrogozhinë, kanë votuar të burgosurit që nuk kanë asnjë lidhje me Rrogozhinën. Janë sjellë nga institucione të tjera të vuajtjes së dënnimit me qëllim që për të votuar kundër kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Kanë nxjerrë të pavlefshme mbi 200 e ca vota në një kohë kur ato janë plotësisht të vlefshme, me urdhër të Edi Ramës.,

Shko në Dumre, përsëri kanë sjellë të burgosur nga vende të tjera, për të votuar kundër kandidatit tonë, etj. Natyrisht, unë e deklarova që në fillim. Kandidatët e Alibravës janë paterica të Edi Ramës. Po unë nuk kam përgjegjësi pse shitet dhe blihet tjetri, këtë duhet ta ketë të qartë çdo shqiptar. Për karakterin e tij është përgjegjës cdo individ. Nuk mund të bësh përgjegjës një tjetër ti pse ai shitet/blihet, apo merret peng nga ato që unë i kam bërë publike dhe që kam faktuar. Kjo është e vërteta.

Ndryshe nga ju disa kandidatë tuaj i kanë njohur zgjedhjet, e kanë pranuar humbjen dhe kanë shtrëngur edhe duart me kundërshtarët, si e komentoni këtë?

Berisha: Kush të tha? Të them unë ty si është. Unë me Zef Hilën kisha një bisedë të gjatë. Nga atentati për eleminimin e kryetarit të PD, tek përdorimi masiv i miliona eurove për blerjen e votës. Zef Hila përpara jush ka denoncuar rastin, dhe unë do t’ua them këtu pjesën tjetër të këtij rasti.

Ish kryetari i bashkisë, sigurisht me urdhër të Edi Ramës i jep një kompanie ndaj së cilës shteti shqiptar nuk kishte asnjë qindarkë borxh. E kishte likujduar plotësisht. I jep subvencion 400 milionë lekë për të blerë vota. Zef Hila si zyrtar i përgjgjshëm doli këtu para jush dhe denoncoi dhe dorëzoi dokumentet në SPAK. Ai që kreu këtë krim monstruoz bëri përpjekje dhe te Sali Berisha. Dërgoi njerëz të kërkonte që Zefi të heqë padinë dhe ai të ndërpresë luftën kundër tij. Asnjë kompromis me krimin i thashë unë.

Zero kompromis me krimin. Ai ishte një akt, si mund ta njihte Zef Hila atë rezultat. Kurrë! Ai tha këto fjalë, siç e di ti. Numërimi është numërim, përfundoi, të shkoftë mbarë. Kaq ishte ajo. Duhet ta zbërthesh kodin e fjalëve ti, se nuk e njeh mire. Ajo të shkoftë mbarë, i ka të gjitha brenda. Nuk është e vërtetë që është njohje rezultati.

Cila është lidhja e Benet Becit me bandat në Shkodër?

Berisha: Organike, lidhja është me Edi Ramën. Benet Beci është përfaqësues, ti vërtet e pyet këtë? Po shko në Shkodër ti, ti them unë ty.

Pëllumb Gjoka ka mbajtur nën pushtim plotë qendrat e votimit në Velipojë. Kam dërguar atje anëtarin e këshilli kombëtar dhe shefin e kabinetit vetëm për t’i thënë Pëllumb Gjokës që ne po të shohim se çfarë po bën. Kishin qendra që i kishin marrë peng dhe nuk lejonin të afrohej kush.

Autokolona e Bajrëve me 3 BMW të blinduara dhe dy makina rreth, shëtiste rrugët e Shkodrës për të mbledhur vota për Benet Becin.

Tom Doshi me milionat e veta. Shkodra nuk do pranojë kurrë kthetrat e krimit.

U them këtyre kriminelëve se do merrni shumë shpejt përgjigjen e merituar. Nuk mposhtet Shkodra, kurrë. Përdorët një megakrim elektoral. Shkodra është e pamposhtur, ta dinë mirë ata.

Shkodra do çajë këtë rrethim, siç ka çarë edhe rrethimet e tjera. Shkodranët duhet të votonin të qetë, të lirë, siç u takon. Por jo nën terrorin e bandave. Edi Rama nxori bandat, liroi nga burgu me marrëveshje për të mposhtur votën e qytetarëve të Shkodrës. Ajo kurrë nuk do të pranohet. Janë të filmuara."