Transmetuar më 21-05-2023, 09:20

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur Idaho të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një grua shtatzënë qëlloi me armë djalin e saj dhe më pas vrau veten.

Mediat e huaja shkruajnë se 33-vjeçarja Elizabeth Lawley dhe djali i saj 2-vjeçar u gjetën të vdekur të mërkurën mbrëma brenda shtëpisë së babait të gruas.

Lawley ishte gjashtë muajshe shtatzënë. Babai i Lawley ishte i pari që pa vajzën dhe nipin e tij të vdekur.

Fqinjët thanë se ai u kthye në shtëpi rreth orës 18:00 dhe mendoi se vajza dhe nipi i tij po flinin në dhomë.

Vetëm në orën 20:30 ai shkoi të kontrollonte se çfarë po bënin dhe gjeti trupat e tyre të pajetë.

“Në 19 vitet e mia të shërbimit në Shoshone County, nuk e kam parë kurrë komunitetin tonë kaq të thyer. Sot ka qenë një ditë jashtëzakonisht e vështirë për familjen, për zyrën tonë dhe për të gjithë qytetarët”, tha Sherifi Holly Lindsey për tragjedinë.

Ky nuk është rasti i vetëm i rëndë i ndodhur kohët e fundit në SHBA. Javën e kaluar, mjeku i Utah-s, Parth Gandhi vrau djalin e tij 16-vjeçar dhe më pas veten brenda zyrës së tij.

Një rast tjetër ndodhi në Massachusetts, ku Lindsay Clancy e cila vuante nga depresioni pas lindjes, mbyti tre fëmijët e saj të vegjël.