Transmetuar më 21-05-2023, 21:28

Greqi- Partia Demokracia e re e Kyriakos Mitsotakis është fituesja e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën këtë të diel në Greqi.

Nga të dhënat e exit poll-eve që u bën publike pak minuta pas mbylljes së kutive të votimit, rezulton se partia e kryeministrit Mitsotakis ka marrë nga 36 deri në 40 përqind të votave.

Ndërkohë që partia kryesore opozitare, SYRIZA, që drejtohet nga ish-kryeministri Alexis Tsipras ka siguruar 25 deri në 29 përqind të votave.

Sipas këtyre rezultateve, Demokracia e Re ka siguruar nga 121 deri në 125 vende në parlamentin e ri, SYRIZA, 86 deri në 89 deputetë, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes 5 partive të tjera.

Ndaj bazuar në këto rezultate, mediat greke raportojnë se kryeministrit Kyriakos Mitsotakis do t’i duhet një koalicion për të qeverisur, ndryshe vendi do të duhet të shkojë në një raund të dytë zgjedhjesh.

21.467 qendrat e votimit në të gjithë vendin u hapën në orën 07:00 të mëngjesit me orën lokale dhe u mbyllën në orën 19:00 të mbrëmjes.

Në votime ishin ftuar të merrnin pjesë 9.8 milionë grekë me të drejtë vote.