Transmetuar më 25-05-2023, 08:00

Robert Lewandowski është një njeri i lumtur, pasi fitoi titullin e parë të La Liga-s me Barcelonën. "Basti" që vuri verën e kaluar, duke shkëmbyer Bayern Munich me Barçën, i ka shkuar mirë. "Jam i lumtur, nuk jam ndjerë kurrë kështu. Paratë janë të rëndësishme në jetë, por nëse doja të fitoja edhe më shumë, kishte klube që m’i garantuan.

Suksesi sportiv është gjithashtu i rëndësishëm, sepse unë luaj futboll për të fituar. Askund tjetër nuk do të gjeja aq dashuri sa ajo që më dha Barcelona. Dhe nuk po flas vetëm për klubin, por edhe për njerëzit, qytetin”, – thotë polaku në një intervistë për mediat e vendit të tij.

Sulmuesi flet edhe për festimin e titullit: "Unë kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë. Në asnjë nga titujt e fituar. Këtu i gjithë qyteti frymon sukses. Unë ende i mbaj mend fytyrat e njerëzve që pashë gjatë paradës së titullit në Barcelonë. Është e vështirë për mua të përshkruaj atë që pashë, mendoj se ishte mirënjohje. Aty e kuptova më së miri vlerën e këtij kampionati”.

Pas fitimit të La Liga-s, klubi tashmë ka filluar të ndërtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Një nga objektivat e mëdha është rikthimi i Leo Messit. Dhe Lewandowski është i kënaqur me idenë: "Unë e di se çfarë do të thotë Messi për Barcelonën. Kur mendoni për Barcelonën, ju thoni Messi; dhe kur mendoni për Messin, ju thoni Barça. Unë gjithashtu e di se çfarë vlere do t’i sillte Leo ekipit tonë, jo vetëm në fushë, por gjithë klubin".

Polaku është i sigurt se do të shkonte në mënyrë perfekte me argjentinasin: "Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj me lojtarë që e kuptojnë futbollin. Leo është i nivelit të lartë. Gjithashtu, Messi ka ndryshuar pak stilin e tij të lojës vitet e fundit, sot është më shumë një ’10’, një mesfushor”.

Së fundi, Lewandowski dhe Messi kanë përkuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Laureus". Të dy patën një takim të përzemërt: "Kur i fola për Barcelonën i ndriçuan sytë. Dhe nuk është për t’u habitur, në fund të fundit ai u rrit këtu, ka një shtëpi këtu që e viziton shpesh. Barcelona është shtëpia e tij".

Polaku foli në intervistë edhe për të ardhmen e tij, duke e bërë të qartë se do të dëshironte ta mbyllte karrierën te Barça nëse vazhdon të jetë i lumtur si tani: "Kontrata ime ka një kohëzgjatje edhe dy vite të tjera, ekziston mundësia për ta zgjatur edhe një vit. Vetë kontrata nuk është e rëndësishme.

Mirëqenia ime dhe e familjes është më e rëndësishme. Gjithmonë kam dashur të jetoj në Spanjë, doja të luaja në La Liga. Për sa kohë që po e shijoj lojën, dua të jem këtu. Pas 10 ose 15 vitesh do të doja të shihesha në pasqyrë dhe të thoja: Robert, ia kalove bukur".