Transmetuar më 24-05-2023, 15:06

Jordi Alba konfirmoi këtë të mërkurë se nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës edhe sezonin e ardhshëm. E bëri këtë përmes një video emocionuese të shpërndarë në rrjetet e tij sociale. Mbrojtësi i majtë donte të falënderonte mbështetjen e tifozëve të Barçës gjatë gjithë viteve të tij në klub dhe ata që i mundësuan të luante në ekipin e ëndrrave të tij:

“Faleminderit prindërve dhe vëllait tim për gjithçka që më kanë mësuar! Faleminderit miqve të mi, që ndanë këtë rrugë me mua! Të gjithë kolegëve, stafit, teknikëve, presidentëve dhe punëtorëve me të cilët kam pasur fatin të përkoj për 18 vite në këtë klub. Sigurisht dua të falënderoj fëmijët e mi për forcën që më japin çdo ditë, si dhe bashkëshorten time për mbështetjen e pakushtëzuar.

Pa ata asgjë nuk do të kishte qenë njësoj, sepse realiteti e kaloi ëndrrën më të madhe timen. Do të doja të isha gjithmonë një lojtar i Barcelonës, kujtesa ime është e mbushur me kujtime të panumërta që i ruaj me shumë mall. Rritja në akademinë e të rinjve ishte një nga fazat më të veçanta të jetës sime.

Pas atyre shtatë viteve më duhej të largohesha, por ca kohë më vonë u ktheva për të përmbushur atë që kisha ëndërruar gjithmonë: të luaja në ekipin e parë të Barçës. E arrita më 2012, u ktheva në shtëpi me një prezantim në ‘Camp Nou’, që ishte moment unik. 11 sezone më vonë ndihem shumë krenar dhe plotësisht i kënaqur me gjithçka që kemi arritur së bashku.

Jo gjithçka ka qenë e bukur, sepse edhe ne kemi kaluar momente të vështira, por prej tyre kemi dalë gjithmonë të bashkuar. Do të më mungojë shumë fryma e grupit në ‘Camp Nou’, duke ndjerë inkurajimin e tifozëve, nxitjen dhe dashurinë e tyre, gëzimin e tyre në momentet e mrekullueshme.

Kush do t’i thoshte atij djalit 9-vjeçar që po fillonte rrugën e tij plot entuziazëm në akademinë e Barçës se do të arrinte kaq shumë me klubin e jetës së tij? Ndihem shumë me fat. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë fansat në botë për dashurinë e madhe që më keni dhënë gjithmonë. Faleminderit shumë!

Për të gjitha këto, pas shumë meditimeve dhe vlerësimeve, besoj se është më mirë të largohem. Dua të njoftoj se ky sezon do të jetë i fundit për mua si lojtar i Barçës. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, por po largohem i lumtur dhe i qetë, sepse mendoj se ndjenja e çuditshme është më e mira. Shihemi të dielën në ‘Camp Nou’. Faleminderit dhe rroftë Barça!”

I lindur më 1989, ai mbërriti në Katalonjë në verën e vitit 2012. Jordi Alba, deri më tani ka grumbulluar 458 ndeshje zyrtare, me 27 gola dhe 99 asiste. Me blaugrana-t, Jordi Alba ka fituar, në fakt, gjithçka: 6 herë titullin kampion të La Liga-s, një Ligë të Kampionëve, një Superkupë Europiane, një Botëror për Klube, 5 Kupa Mbreti dhe 4 Superkupa të Spanjës.