Transmetuar më 25-05-2023, 19:15

Londër- Alarm në Britani. Një burrë është arrestuar pasi u përplas me portat jashtë Downing Street, rezidenca zyrtare e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar. Fatmirësisht nuk kishte asnjë person të lënduar nga kjo përplasje. Pamjet nga kjo ngjarje kanë bërë xhiron e rrjetit, teksa Policia konfirmon se kanë vënë në pranga autorin. Policia britanike tha se ai ishte arrestuar nga oficerë të armatosur nën dyshimin për dëmtim kriminal dhe drejtim të rrezikshëm.

Oficerët nisën menjëherë punën, duke bërë kontrolle në bagazhin e automjetit të autorit.

Pas incidentit, këmbësorët janë larguar nga rruga kryesore përreth Doëning Street, raporton "Sky News".

“Rreth orës 4:20 një makinë u përplas me portat e Downing Street në Whitehall”, tha Policia Metropolitane në një deklaratë.

“Oficerët e armatosur arrestuan një person në vendngjarje, nën dyshimin për veprime kriminale dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit’.

Dëshmitari Simon Parry, 44 vjeç, tha: "Dëgjova një zhurmë dhe ngrita sytë dhe pashë një mori policësh që i bërtisnin burrit.

"Shumë automjete policie erdhën shumë shpejt dhe ishin shumë të shpejtë për të evakuuar zonën".

Pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion për këtë ngjarje.