Transmetuar më 26-05-2023, 23:10

ROSKOVEC- Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Roskovecit, Erdit Hazizaj, i është drejtuar me një letër të hapur ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, lidhur me atë që ai e konsideron masakrën elektorale. Hazizaj akuzon drejtëpërdrejt institucionet e drejtësisë për mungesë të reagimit, pasi sipas tij, ligji është shkelur haptazi. Në postimin e tij të shpërndarë në Facebook, ai sjellë në fokus edhe audiopërgjimin ku ishte përfshirë kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, për blerje të votës dhe shantazhin që i bëhej nga ana e saj punonjësve. Sipas tij, asnjë nga organet kompetente nuk ndërhyri. Ai sqaron ndër të tjera se kjo video është vetëm maja e ajsbergut, pasi nëse do të hetohej, do të dilnin shumë të tjera.

Postimi i plotë

Letër e hapur Ambasadores USA! Duke marrë shkas nga ngjarjet gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet në Bashkinë Roskovec dhe indiferencën totale të pushtetit ligjzbatues, natyrshëm më lind pyetja:

Ku janë institucionet e drejtësisë? Përse nuk u reagua në kohë, përse akoma nuk reagojnë?

U bë kaq kohë ku me zë e figurë duket qartë shkelja e ligjit “me të dyja duart” trajtimi shtypës dhe kërcënues i kryetares së bashkisë Roskovec dhe stafit të saj, e asnjë nga organet kompetente nuk ndërhyri në këtë masakër elektorale.

Kjo video është vetëm maja e ajsbergut, pasi po të kishte dashamirësi dhe hetim të thelluar nga ana e këtyre organeve, do të dilnin shumë e shumë të tjera. Mos vallë kanë qënë të zëna “me punë” këto organe?! Apo u ka munguar kurajo, se vullneti nuk duket gjëkundi.

Personalisht kam besuar në efektshmërinë e këtyre organeve që në krye te herës, pasi u desh kohë, mund dhe shumë para për këtë drejtësi që presim sot dhe Ju znj. Ambasadore (më saktë ; qeveria Juaj) është financuesja kryesore e kësaj drejtësie të re, e cila duket mjaft e ngadaltë dhe pakëz e verbër.

“Ujku ujku, por çakalli po bën kërdinë!” “Detyrimi ose kërkesa drejtuar shtetasve, nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, që kundër vullnetit të tyre ose nën kërcënimin e përdorimit të masave administrative ose disiplinore, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, për të mbështetur ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje, ose për të votuar në një mënyrë caktuar, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.

Përdorimi nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, i të mirave publike, funksionit ose veprimtarisë shtetërore, ose i burimeve financiare ose njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, në kundërshtim me ligjin dhe qëllimin e detyrës, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.”

Mos ndoshta duhet të mendojmë se meqë në krye të forcës politike që unë garova është Z.Berisha , i shpallur “non grata” nga ju, NE nuk do të kemi mbështetjen tuaj apo të drejtësisë dhe institucioneve kompetente? Druaj se logjika e thjeshtë këtu të çon.

Nuk duhet që për shkak të një personi ( nëse do jenë të vërteta ato dosjet tuaja) të lëmë një komunitet të tërë të drejtohet nga njerëz që detyrimin ta quajnë nder, që shtypin e përçmojnë qytetarët e thjeshtë duke përdorur presionin si strategji elektorale, duke nënshtruar një popull e duke e zhveshur nga vlerat dhe morali vetëm se nuk kanë mundësi të mbrojnë veten për gjërat që u takojnë! Dosjet e këtyre dhe e kësaj kryetare janë këtu, po dalin ditën me diell, me zë e figurë dhe spo e vë njeri ujin në zjarr.

E pra, mund ti lëmë këta njerëz të jetojnë në terror psikologjik ku nuk mund të mbrojnë dot as veten, as pronën, as vendin e punës( bukën e gojës)? Sepse kjo nuk është demokraci, është mbrojtje e diktaturës. Dreqi e mori, atë dosjen nëse keni silleni dhe na e tregoni që të vëmë edhe Ne pikat mbi “i”.

Me besim mbi demokracinë që na mësoni..

U.S. Embassy-Tirana