Transmetuar më 27-05-2023, 18:58

Tiranë- Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i Partisë Demokratike, Jorida Tabakut i hapet rruga për të marrë postin e kryetares në selinë blu deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri përmes votës së demokratëve.

Ditën e sotme ajo është pyetur nëse do të pranojë ta mbajë këtë detyrë, teksa tha se në fund të javës së ardhshme do të ketë edhe një zyrtarizim për këtë çështje. Tabaku u shpreh se PD nuk ka pse të identifikohet me një lider duke shtuar se debati i brendshëm e ka dëmtuar opozitën.

“Unë në PD i kam fituar gjërat, ndoshta kam ecur më ngadalë, por rruga është edhe më e gjatë. Po i dëgjoj të gjitha palët dhe në këtë moment ka rëndësi që të gjejmë një zgjedhje që e zgjeron PD dhe në diskutime duhet të jenë të gjithë deputetët, apo Kryesia.

Kush do e drejtojë PD-në pas largimit të Alibeajt? Tabaku: Ka ardhur momenti që të reflektojmë… Javën e kaluar kemi pasur një mbledhje dhe kemi ndarë mendime se kush është më e mira tani. Zgjidhja më e mirë do të ishte të kishim një grup njerëzish pa u nxituar për të future partinë nga një betejë në tjetrën. Besoj që në fund të javës tjetër do të kemi arritur diçka që është e konsultuar me të gjitha. PD nuk ka pse të jetë partia e njëshit, duhet të identifikohet me një fytyrë të re dhe një pamjet të re. Dhe për këtë duhet të ketë një proces normal. Në fund të javës tjetër do të ketë një zyrtarizim.

Nuk ka rëndësi se kush bën çfarë, por të japim një mesazh ndryshe. Besoj se duhet të lëvizim nga qasja e individit dhe duhet një vendimmarrje më e gjerë. Dhe e vendos Kryesia e PD se kush do ta drejtojë. Nëse nxitohemi tani, e humbim mundësinë e bashkimit të demokratëve në bazë, kjo është ajo që i referohem kur them partia duhet të bashkohet në bazë”, tha Tabaku për News24.