Transmetuar më 28-05-2023, 14:53

TIRANË- Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë përfunduar aktin e ekspertimit për Gerti Shehun, i riu i cili grushtoi Sali Berishën gjatë protestës së 6 dhjetorit 2022. Sipas ekspertëve, Shehu është i papërgjegjshëm mendërisht.

Për këtë arsye, prokuroria i është drejtuar gjykatës duke kërkuar që nga arrest me burg të dërgohet në spital psikiatrik për trajtim të mëtejshëm.

Procesi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë ende nuk ka filluar në gjykatën e Tiranës, por përmes kësaj kërkese automatikisht bie dhe akuza e “Goditjes për shkak të detyrës”, që u ngrit fillimisht për Gert Shehun.

Që kur ndodhi ngjarja, e deri më sot Shehu mbahet i izoluar në burg. Ndërsa pas kërkesës së prokurorisë që pritet të shqyrtohet në vijim nga gjykata, Gert Shehu, do mbyllet në psikiatri.

Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.