Transmetuar më 28-05-2023, 21:24

Itali- Një aksident tragjik ndodhi në Itali. Kevin Murataj është 19-vjeçari shqiptar që u aksidentua për vdekje mbrëmjen e maturës në Udine, Itali.

I riu kishte dalë me shokët dhe mësuesit për të festuar kur një makinë e përplasi te vijat e bardha teksa kalonte rrugën.

Të afërmit e tij janë tronditur nga kjo ngjarje e rëndë dhe e paimagjinueshme. Erlind Muhametaj, daja i Kevin tha se nipi i tij ëndërronte të mbaronte me sukses shkollën dhe të regjistrohej më pas në universitet.

Kevin kishte dalë i lumtur nga shtëpia, ëndërronte për maturën prej kohësh, që më pas të regjistrohej në universitet. Një fat i pamëshirshëm, kaq i pamëshirshëm sa e mori nga kjo botë. Kevini po kalonte rrugën në vendkalimin e këmbësorëve, një shofer nuk e pa dhe e përplasi atë.

Familja e Kevin mbërriti në Itali vite më parë dhe ai ishte fëmija i parë nga tre fëmijët që lindi në Itali. Në shtëpinë e tij ka kapluar heshtja, ndërkohë që familjarët dhe të afërmit shohin me lot në sy fotot e tij. Daja i tij thotë:

Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur, donte shumë të studionte dhe të punonte, nuk lodhej kurrë. Ishte djalë i mirë, fundjavave ishte kamarier në picerinë “Bella Napoli” ku punoj edhe unë, mezi priste të mbaronte shkollën për të punuar atje gjithë verën.

Vdekja e Kevinit tronditi komunitetet Latisana dhe Lignano, disa persona vendosën lule të kuqe në vendin ku ai u aksidentua për vdekje.