Transmetuar më 29-05-2023, 10:03

Stefano Pioli tashmë po shikon nga e ardhmja, pas fitores ndaj Juventusit, që i dha atij kualifikimin aritmetik në Champions League. “Gjithmonë varet nga pritshmëritë dhe objektivat që dëshironi të arrini, – ishin fjalët e trajnerit të Milanit për Dazn. – Nëse doni të përpiqeni të fitoni Serie A dhe të luftoni në Ligën e Kampionëve, duke përfunduar në top-katërshe, kjo dëshmon se skuadra duhet të përmirësohet.

Ne kemi nevojë për lojtarë të fortë, edhe nëse jam gjithmonë i lumtur të stërvit lojtarë të rinj. Nëse dëshironi për të qëndruar konkurrues në të dyja kompeticionet, duhet skuadër e nivelit të lartë. Nëse ndonjë nga ata që kanë ardhur nuk kanë performuar në më të mirën e tyre, është faji i të gjithëve. Nëse fokusoheni te lojtarët e rinj duhet të dini se si t’i prisni ata. Ky është një klub i virtytshëm, duhet të vazhdojë në rrugën që beson”.

Më pas, Pioli u përpoq të bënte një bilanc të sezonit: “Liga e Kampionëve na dha shumë më tepër nga sa prisnim. Më pas na dha shumë hidhërim, sepse u eliminuam një hap larg finales, kundër Interit. Megjithatë, askush nuk e priste rrugën që bëmë në këtë kompeticion. Në kampionat, nga ana tjetër, sigurisht që bëmë më pak se sa mundnim.

Ishte viti i parë që u përpoqëm të luftonim në dy gara dhe diçka mungonte. Bëmë 5 muaj pa Maignan, ku më të fortët shkuan në Botëror. Shumë gjëra na kanë kushtëzuar, por tani le të shijojmë këtë rezultat dhe faktin që do të jemi në Champions League vitin e ardhshëm. Baza është solide, le ta shijojmë këtë fitore, sepse të triumfosh në fushën e Juventusit nuk është kurrë e lehtë".

Në fund të ndeshjes, ekipi u mblodh për një fjalim: "Folën djemtë, aktorët kryesorë të këtij viti. Ne nuk donim të shkonim në ndeshjen e fundit me dilema, vetëm mund t’i falënderoj që e siguruam Champions-in qysh sonte. Ka pasur ulje-ngritje, por grupi nuk ka pushuar kurrë së besuari te vetja dhe nuk është prekur nga negativiteti”.

Së fundi, një reflektim për disa zgjedhje taktike: "Ka shumë vendime të këqija në një vit. Ndryshimi i skemës (kalimi në mbrojtjen me 3 lojtarë) ishte i nevojshëm në atë kohë të sezonit. Ne kaluam Tottenhamin duke luajtur kështu atje. Në atë moment nuk mund të bëja ndryshe për të mposhtur inercinë negative”.