Transmetuar më 29-05-2023, 14:25

Diçka nuk konfirmohet plotësisht derisa të bëhet zyrtare. Dhe tani bëhet zyrtare: Mauricio Pochettino është trajneri i ri i Chelsea. Ai do ta marrë drejtimin e bluve të Londrës për sezonin 2023-2024 dhe do të nënshkruajë deri në vitin 2025, me opsionin që Chelsea t’ia zgjasë bashkëpunimin deri më 2026. Pra, trajneri argjentinas ka marrë përsipër një projekt të ri afatgjatë në Londër, pas dështimit të dy paraardhësve të tij të fundit: Tuchel dhe Graham Potter.

Prej javësh, bisedat mes ish-trajnerit të Tottenham dhe Todd Boehly kanë qenë intensive. Pronari amerikan i Chelsea ka qenë thelbësor në arritjen e nënshkrimit të Pochettino, i cili merr përsipër detyrën e rritjes së një klubi që sezonin e ardhshëm nuk do të luajë në kompeticionet europiane dhe që këtë sezon ka qenë më afër rënies sesa kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i tij i punës do të jetë i njëjtë si gjatë kohës në stolin e Tottenham, ku argjentinasi arriti një finale të Ligës së Kampionëve. Stafi teknik do të përbëhet nga Jesús Pérez, Miguel D’Agostino, Toni Jiménez dhe Sebastián Pochettino.

"Përvoja, standardet e përsosmërisë, cilësitë e lidershipit dhe karakteri i Mauricios do t’i shërbejnë mirë Chelsea, ndërsa ne ecim përpara. Ai është një trajner fitues, pasi ka punuar në nivelin më të lartë, në liga dhe gjuhë të shumta. Etika e tij, qasja taktike dhe përkushtimi ndaj zhvillimit e bënë atë një kandidat i jashtëzakonshëm”, – janë fjalët e zyrtarizimit të Chelsea për trajnerin e ri.

Chelsea shpenzoi më shumë se 600 milionë euro në merkaton e fundit të transferimeve dhe nuk ka mundur (edhe me kaq) të përfundojë në ‘top-10’ e Premier League, sezoni 2022-2023. Natyrisht që diçka ka shkuar keq në “Stamford Bridge” dhe Pochettino pritet të jetë çelësi për zgjidhjen e problemit.

Por, paraprakisht, argjentinasi do ta gjejë veten me shumë pikëpyetje. Ai ka një skuadër me 33 lojtarë dhe mjaft të tjerë në huazim jashtë Londrës. Nga skuadra aktuale ka emra të mëdhenj në dyshim si Mount, Koulibaly, e ardhmja e Joao Félix, Aubameyang, Ziyech, Gallagher… Dhe më pas është rasti “Lukaku”, i cili do të rikthehet pas huazimit tek Interi, më 30 qershor.