Transmetuar më 29-05-2023, 23:42

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për t’u dhënë fund tensioneve në veri të Kosovës. Në një reagim lidhur me trazirat në veri, ku mbetën të plagosur disa ushtarë të KFOR-it, kreu i qeverisë shprehet se sa më shumë që zgjatet ky konflikt i panevojshëm aq më shumë lëndohet Kosova.

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova!

Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm!”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka bërë një thirrje edhe për homologun Albin Kurti duke thënë se duhet të dëgjojë ndërkombëtarët pasi Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!“, shtoi Rama