Transmetuar më 30-05-2023, 12:59

Sergio Rico pësoi dëmtim serioz në kokë, pasi u rrëzua nga një kalë në "El Rocío". Portieri i PSG është shtruar në spitalin "Virgen del Rocío" të Seville. Në raportin mjekësor flitet për një gjendje të rëndë (brenda kualifikimeve qëndron ‘shumë e rëndë’ dhe ‘kritike’).

Futbollisti 29-vjeçar ka pësuar aksident me kalin e tij dhe është dashur të evakuohet urgjentisht me helikopter nga shërbimet shëndetësore në spitalin e sipërpërmendur, pasi ka rënë në tokë dhe është shkelur nga kafsha në zonën e qafës.

Futbollisti është dashur të intubohet pas traumës së pësuar dhe mbahet në vlerësim të rreptë mjekësor. Sergio Rico u thirr të shtunën me skuadrën pariziene për ndeshjen e parafundit të kompeticionit vendas në Francë, e cila u luajt në Strasburg, ku barazoi dhe u shpall kampione e Ligue 1.

Andaluziani pas kësaj ndeshjeje u zhvendos në El Rocío, ku pikërisht pësoi fatkeqësinë që çoi në transferimin e tij në spitalin sevillian. Portieri në fjalë, pasi kaloi te Sevilla, luajti edhe te Fulhami anglez, më vonë u rekrutua nga PSG, i cili sezonin e kaluar e huazoi te Real Mallorca, për t’u rikthyer te skuadra pariziene, ku është zëvendësues i rregullt i Donnarumma.