Transmetuar më 30-05-2023, 14:20

Moskë- Rusia ka reaguar ditën e ostme në lidhje me tensionet e krijuara në veri të Kosovës.

Nëpërmjet një reagimi nga ministria e Jashtme ruse, Kremlini zyrtar reshtohet në krah të Beogradit, duek thënë se Perëndimi duhet të ndalojë së fajësuari serbët.

Rusia i cilëson serbët paqësorë, të paarmatosur dhe se po veprojnë në ligjshmëri të plotë për të mbrojtur të drjetat e tyre.

“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht ta ndalë propagandën e tij të rreme dhe, për incidentet në Kosovë, të ndalojë së fajësuari serbët, të cilët janë paqësorë, të paarmatosur dhe bëjnë përpjekje t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre legjitime”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton Reuters.

Protestuesit serbë u përplasën me paqeruajtësit e KFOR-it në Zveçan. Tridhjetë ushtarë të KFOR-it dhe mbi 50 protestues u plagosën në përleshje. KFOR-i tha se tre ushtarë të tij janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë.

Një ditë më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.