Transmetuar më 30-05-2023, 17:00

Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë ka nisur një hetim ndaj gjashtë rrjeteve televizive që konsiderohen të afërta me opozitën, duke i akuzuar ata për “fyerje të publikut” gjatë pasqyrimit të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale .

Mediat e huaja shkruajnë se nuk ka asnjë detaj tjetër në lidhje me këtë hetim vetëm fakti se ka ankesa nga teleshikuesit.

Ndërkaq kujtojmë se në raundin e dytë të zgjedhjeve të zhvilluara me 28 Maj është shpallur fitues presidenti Rexhep Tajip Erdogan, duke zgjatur qëndrimin e tij 20-vjeçar në pushtet.

Kundërshtari i tij, kreu i opozitës Kemal Kilicdaroglu foli për “zgjedhjet më të padrejta në vite”, por pa vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve.

Ndërkohë RTUK gjobiti katër stacione televizive në mars për mbulimin e tyre zgjedhor. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe partitë opozitare turke akuzojnë RTÜK- në se po përpiqet të heshtë mediat opozitare duke vepruar si një mjet i qeverisë.

RTUK po heton gjithashtu Halk TV, KRT, TV5, Flash Haber dhe Szc TV , në thelb të gjitha stacionet televizive kombëtare që mbështesin opozitën.