Transmetuar më 01-06-2023, 19:02

TIRANË- Pagat e muajit maj do të jenë njësoj si ato që janë marrë deri më tani! Lajmin e dha ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat u shpreh se pagat e muajit maj do të kalojnë siç ishin, duke dalë në kundërshtim me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit gjatë fushatës premtoi të kundërtën e asaj që tha sot ministrja e Ekonomisë dhe Financave.

"Miratuam tetë vendime të Këshillit të Ministrave por patën diskutime. Do të marrim pak më shumë kohë, duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës që preken nga këto vendime dhe mbi 130 mijë të punësuar, pagat e të cilëve u miratuan që në prill, zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë. Kjo është edhe arsyeja që për të qenë më koherent dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave, iu kemi kërkuar të gjithë institucioneve buxhetore që të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e majit, në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Disa prej institucioneve që preken nga ligji që kaloi në parlament, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin maj dhe me zbardhjen e vendimeve, do të përfshijmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për prillin dhe majin,"-tha në fjalën e saj ministrja.

Ndryshe nga sa sot bëri me dije ministrja Ibrahimaj, kryeministri Edi Rama tha gjatë fushatës se rritja e pagave në parlament do të miratohej në Kuvend. Më pas, premtoi se rritja do të nisë të aplikohet menjëherë dhe kategoritë që përfitojnë nga ky vendim do të marrin bashkë me Majin edhe shtesën e përcaktuar për muajin Prill.

“Ligji për rritjen e pagave kalon në parlament këtë javë., Arsyeja pse ligji ngeci është se unë i thosha qeverisë dhe deputetëve që do ju rritet rroga të fundit fare. Ministrat ranë dakord. Kur shkojmë në parlament deputetët thonë i duam pagat tani se lodhemi shumë. Me kalimin e ligjit të pagave që do garantojnë fillimin e rritjes së madhe që kemi thënë. Pagat e rritura do të merren që nga 1 Prill që shkoi, Kur të merret paga e parë të mos kujtojnë se ajo që është ajo e muajit. Do jetë edhe paga e prillit, dhe e majit. Votat i kemi marrë, zgjedhjet kanë mbaruar. Megjithëse ka kaluar kohë për shkak të vonesës, vonesën nuk e do e paguajnë ata që marrin pagën por do marrin atë që është premtuar. Prillin që vjen rritja do të përfundojnë të gjithë dhe do të kemi në Shqipëri një pagë mesatare 900 euro,”- deklaroi Rama.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur! Ishte thjesht një premtim fushatë, apo ministrja nuk e ka dëgjuar me vëmendje kreun e qeverisë gjatë fushatës elektorale.