Transmetuar më 09-06-2023, 13:47

Adrian Bajrami është një lojtar mjaft premtues për kombëtaren kuqezi. Duke qenë ende i ri, ai konsiderohet garanci për të ardhmen. Pjesë e skuadrës së dytë të Benfica, autori i dy golave gjatë këtij sezoni në kampionatin portugez, vijon të grumbullohet në kombëtaren shqiptare.

Në pritje të momentit të tij, djaloshi i ri thotë se ka besimin e trajnerit Sylvinho dhe shpresën se do të lërë gjurmë me fanellën kuqezi. Në krah të një veterani si Armando Sadiku, ai foli sot para gazetarëve, në konferencë për shtyp.

Si ndiheni, pasi ktheheni pas një periudhe dëmtimi?

Jam shumë i lumtur që jam përsëri në kombëtare. Kam pasur një dëmtim të rëndë, por jam mirë tani. Do të mundohem të jap maksimumin. Kemi biseduar shumë herë me trajnerin, ka ardhur në Portugali për të më takuar.

A mendoni se do të jeni titullar?

Do të vendosë trajneri, unë do të jap maksimumin në stërvitje. Duhet të kemi besim, sidomos për ndeshjen në shtëpi. Nuk ka skuadra të lehta, ne duhet të japim maksimumin dhe të jemi të fokusuar në fushë.

Si e ndjeni veten në seancat stërvitore?

Trajneri e ka një ide të qartë, na shpjegon çfarë kërkon prej nesh dhe mundohemi të bëjmë ato që na thotë. Më ka thënë që nuk duhet të mërzitem prej dëmtimit, më tha se ka shumë besim tek unë, më sheh si lojar të së ardhmes.

Jeni te Benfica B, si e shihni të ardhmen?

Kam edhe dy vite kontratë te Benfica, ëndrra ime ka qenë të jem në ekipin e parë, pas kombëtares. Le të shohim se cila do të jetë e ardhmja ime.