Transmetuar më 10-06-2023, 08:15

Shtatë muaj pas vjedhjes së ‘Mini Countryman’ të Khvicha Kvaratskhelia, yllit të Napolit, dhe pak ditë pas asaj të ‘Range Rover’ të Kaio Jorge, brazilianit të Juventusit, një tjetër figurë e njohur e futbollit italian duhet të përballet me grabitësit kriminelë.

Në qendrën tregtare ‘Maximall’ të Salernos, dy persona vodhën një ‘Fiat 500’ në pronësi të Franck Ribéry, i cili aktualisht është pjesë e stafit teknik të klubit të “granatave”. Dy kriminelët nuk e dinin se kush e kishte makinën dhe vepruan të pashqetësuar gjatë grabitjes së saj.

Nëpërmjet hetimeve u bë e mundur gjetja e identitetit të njërit prej tyre, i cili u arrestua nga karabinierët e Pontecagnano-s, ndërkohë që bashkëpunëtori është aktualisht në kërkim dhe ka ikur me makinën që ka qenë objekt i vjedhjes.

Automjeti nuk është i regjistruar direkt në emrin e ish-futbollistit francez, por të një të afërmi të tij. Ribery ishte brenda qendrës tregtare gjatë vjedhjes për të bërë blerje dhe e kuptoi se çfarë kishte ndodhur vetëm kur u kthye në parking për të marrë makinën. Ajo nuk ndodhej më aty. “Skifterat” e kishin rrëmbyer atë…