
Ai mori çmimin “Gentleman” për golin më të mirë të Milanit, të shënuar sezonin e kaluar (goli i 3-0, shënuar kundër Napolit në stadiumin “Maradona”), por tashmë ka rezervuar çmimin e vitit të ardhshëm me goditjen ajrore kundër Romës, dy javë më parë. Rafa Leao është në formë të shkëlqyer dhe tani ka Interin si “gjah”.
Pas zhgënjimit të “Euroderbit” në maj, portugezi tani është gati për hakmarrje ndaj rivalite zikaltër, për herë të parë me numrin 10 mbi supe në derbin e Madoninës: "Për mua është numri i lojtarëve të mëdhenj të Milanit. Milani ka pasur gjithmonë numra 10 të fortë. Ishte koha e duhur për ta marrë këtë fanellë, për të hyrë në fushë dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë mund të bëj me këtë numër mbi shpinë".
Dhe mundësia më e mirë vjen të shtunën, në derbin kundër Interit. Kushdo që fiton mund të zgjasë epërsinë: "Është gjithmonë një ndeshje shumë e mirë, dy skuadrat janë maksimalisht të karikuara për të luajtur. Është një moment shumë i bukur, të gjithë bashkëlojtarët e mi mezi po e presin këtë lloj ndeshjeje. Mund të fitojë skuadra më e mirë”.
Skuadra më e mirë për Leao është, padyshim, ajo kuqezi. Por, a është më mirë të fitosh me një gol të shënuar apo një asist të shërbyer? "Unë nuk jam lojtar egoist, – përfundoi Leao, – përpiqem të bëj lojën e duhur kur dyluftoj një kundër një. Ndonjëherë mund të gjuaj, por gjithmonë shikoj nëse shoku i skuadrës është në një pozicion më të mirë dhe i pasoj”.