Transmetuar më 14-09-2023, 12:09

Zemërim, por edhe emocion. Dëshirë për hakmarrje, edhe pak nostalgji. Leonardo Bonucci është rrëfyer ekskluzivisht për “SportMediaset”, një intervistë që do të publikohet e plotë gjatë ditës së sotme. Ai nuk e përmend fare me emër Massimiliano Allegrin, të cilin e përcakton thjesht si "trajneri".

Këtu janë disa deklarata paraprake të shpërthimit të mbrojtësit veteran italian, të cilin e larguan pa dëshirën e tij nga Juventusi, pas 11 sezonesh: "Kam lexuar dhe dëgjuar gjëra të pavërteta të thëna nga Juventusi dhe trajneri.

Është lajm i rremë që në tetor dhe shkurt jam informuar mbi qëllimin e klubit për t’i ndërprerë marrëdhëniet në fund të sezonit të kaluar. Në të vërtetë, në fund të muajit maj kisha dhënë dakordësinë time për të qenë zgjedhja e pestë apo e gjashtë në mbrojtje, për të qenë sikurse thuhet ‘pula nënë’ (klloçka që mbledh zogjtë).

Kam nuhatur diçka, – vazhdon Bonucci, – vetëm duke lexuar në gazeta, derisa më 13 korrik, Giuntoli dhe Manna më informuan, duke ardhur në shtëpinë time, se nuk do të isha më pjesë e Juventusit dhe se prania ime në fushë do të pengonte rritjen e ekipit.

Ky ishte poshtërimi që pësova pas rreth 500 ndeshjesh me Juventusin. Vlerësova solidaritetin e shumë lojtarëve, përfshirë këtu edhe aktualë, të Juventusit dhe klubeve të tjera. Të gjithë shprehën zhgënjimin e tyre për sjelljen mosrespektuese të klubit".