
Në moshën 47-vjeçare, Ronaldo Nazario kalon sërish në altar. Ish-futbollisti i tha “po, dua” këtë të hënë Celina Locks, modeles braziliane, me të cilën ka ndarë jetën prej shtatë vitesh dhe u fejua janarin e kaluar. Një lidhje, e katërta për ish-sulmuesin legjendar, e cila u kurorëzua në ishullin Ibiza përmes një ceremonie fetare, për të cilën ai duhej të pagëzohej vetëm pak ditë më parë në Sao Paulo.
Këtë lajm të mirë çifti e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale. “Sot ne mbledhim familjet tona për një festë intime fetare. Kështu fillojmë një javë me shumë festime”, – shkruan Celina Locks në profilin e saj në Instagram. Së bashku me këto fjalë, modelja ka ndarë një fotografi nga dasma, ku shihet e veshur me një dizajn Armani.
Vendi i zgjedhur nga çifti për të bashkuar dashurinë e tyre ishte “Es Cubells”, një kishë e vitit 1855, që është e njohur në ishullin Balearik. Ceremonia u drejtua nga famullitari i Sant Josep: At Josep Lluís Mollá. Të gjitha detajet ishin të kuruara nga Silvia Nistal, gruaja e Baptistas.
Siç thuhet në “Diario de Ibiza”, çifti i sapomartuar ka në plan të organizojë një festë të re të shtunën e ardhshme, më 30 shtator, në një nga pallatet në pronësi të Ronaldo Nazario. Miqtë dhe familja do të mblidhen për të vazhduar përkujtimin e këtij bashkimi.
Presidenti i Real Valladolid mori sakramentin e pagëzimit më 11 shtator në një kishë në Sao Paulo, në Brazilin e tij të lindjes. “Jam pagëzuar! Besimi i krishterë ka qenë gjithmonë një pjesë themelore e jetës sime, që kur isha fëmijë, megjithëse ende nuk isha pagëzuar. Ndihem vërtet i rigjeneruar si një fëmijë i Perëndisë, – shkroi ai në atë kohë. – Përtërij angazhimin tim për të ndjekur rrugën e vullnetit të mirë, të lirë dhe spontan”.