Transmetuar më 27-09-2023, 12:41

Barcelona mund të gjendet në vendin e tretë të La Liga-s sot, pas barazimit të djeshëm 2-2 ndaj Mallorca, në fushën e kësaj të fundit. Një pikë që padyshim nuk e kënaq trajnerin Xavi, i zemëruar për gabimet e skuadrës së tij: “Vendësit kaluan në epërsi prej gabimit tonë dhe kur ishim mirë pësuam golin e dytë.

Gabimet janë të papërshtatshme për ne, nuk duhet të ndodhin në këto ndeshje të bllokuara, në të cilat është e vështirë të krijosh raste. Kishim raste të qarta, por bëmë dy gabime të dukshme. Morëm një barazim që nuk na kënaq”.

Një shqiptar, pjesë e kombëtares kosovare, Vedat Muriqi u bë tmerri i kampionëve të Spanjës në fuqi në ndeshjen e mbrëmshme. “Pirati” ishte një nga protagonistët e mëdhenj të Mallorca-Barcelona 2-2.

Ish-sulmuesi i Lazios shënoi një gol dhe dha asistin në të dytin për të tijtë, që ia dolën ta ndalnin Barcelonën me barazim. Bomberi i kombëtares kosovare analizoi rezultatin final 2-2 në DAZN: “Vinim nga një humbje e tmerrshme jashtë shtëpisë, diçka duhej zgjidhur. Luftuam dhe fati qe në anën tonë, rezultati ishte i drejtë.

Patëm edhe mundësinë për të fituar, por tani duhet të vazhdojmë të punojmë për të marrë tri pikët në ndeshjen kundër Rayo Vallecano. E dinim që Barça sillet shumë mirë me topin, por ka të meta në mbrojtje. Ne ishim të mirë në shfrytëzimin e gabimeve të Barcelonës”.