
Kapet 82 mijë euro në një autobus në pikën kufitare Muriqan.
Policia e Shkodrës informon se ‘shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit vijojnë intensivisht punën, për konstatimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Directions”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, ushtruan kontrolle të imtësishme, në vijë të dytë, në autobusin në pronësi të 36-vjeçarit (me drejtues shtetasin S. F. dhe me drejtues alternativë shtetasit A. C. dhe K. M.). Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, u gjetën 82 010 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar.
Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.’