Transmetuar më 07-01-2024, 18:50

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj i cili u arrestua të premten e kaluar (5 janar) nga autoritetet serbe në Merdarë, është transferuar në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd. Lajmin e ka bërë me dije avokati i tij, Xhevdet Smakiqi nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Informatat e fundit për rastin e arrestimit e Hasan Dakajt që i kam marrë janë se tashmë Hasan Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd në rrugën “Baçvanska””, shkruan ai në postimin e tij.

Sipas tij, Prokuroria e Serbisë pretendon se Hasan Dakaj ka kryer krime lufte në vitin 1999.

“Pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj pretendohet nga Prokuroria serbe se kinse ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte si 19 vjeçar. Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve te prokurorisë së Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me di kënd tjetër”, u shpreh Smakiqi.

Ish-luftëtari i UÇK-së, së bashku me vëllain e tij Xhevit Dakaj ishin nisur drejt Italisë por u ndaluan dhe arrestuan në pikën kufitare të Merdares teksa hynin në territorin serb. Kosova kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në lirimin e të arrestuarit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd